Ramadan Muja në Gjykatën e Gjilanit (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Nesër jepet fjala përfundimtare në gjykimin e Ramadan Mujës dhe të tjerëve

Nesër në Gjykatën e Gjilanit do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, dhe ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj Komune, të akuzuar bashkë me të për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Pasi që nga seancat e kaluara e kishin dhënë mbrojtjen e tyre të gjithë të akuzuarit e përfshirë në rastin e Ramadan Mujës, në seancën e nesërme pritet të vazhdohet me fjalën përfundimtare të palëve, raporton Kallxo.com.

https://kallxo.com/ne-gjykimin-e-ish-kryetarit-te-prizrenit-u-moren-ne-pyetje-tre-te-akuzuarit-e-tjere/

Muja dhe të tjerët akuzohen se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Muja për katër pikat e aktakuzës në gjykimin e parë ishte dënuar me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale. Si dhe të mos ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Ndaj Kadri Ukimerit është pushuar procedura penale pasi që i njëjti tashmë është i ndjerë.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

https://kallxo.com/supremja-kthen-ne-apel-vendimin-per-ramadan-mujen/

Zhvendosjen e gjykimit të Mujës dhe të tjerëve nga Gjykata Themelore në Prizren në ndonjë gjykatë tjetër e kishte kërkuar më 8 gusht të këtij viti kryetari i kësaj Gjykate, Ymer Hoxha, me arsyetimin se njëra nga veprat penale me të cilat ngarkohej Muja lidhej me kallëzimin penal të Gjykatës në Prizren.

Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren, është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.

https://kallxo.com/ramadan-muja-te-gjykohet-ne-gjilan/

Po ashtu duhet theksuar se në njëren prej seancave të kaluara gjyqësore, Gjykata kishte ndaluar filmimin e fytyrave të të akuzuarve në këtë rast.

Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi me  aktvendim i ndaloi mediat që të filmonin fytyrat e të akuzuarve me arsyetimin se ata ende janë të pafajshëm deri në momentin që shpallet aktgjykimi dhe dëshmohet e kundërta.

https://kallxo.com/gjykata-ndalon-filmimin-e-fytyrave-te-ramadan-mujes-dhe-te-tjereve/

Gjykimi për keqpërdorim të detyrës, Ramadan Muja, Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Minir Krasniqi, Abdullah Tejeci, Fikrije Fejzullahu