Foto: Ilustrim

Nesër aktgjykimi në rastin e zëvendësministrit të Qeverisë Haradinaj

Gjykata e Prizrenit do të shpallë nesër aktgjykimin në rastin e zëvendësministrit të Administratës Publike, Bujar Nerjovaj, i cili po gjykohet për keqpërdorim të pozitës për kohën sa ishte drejtor i Inspektoratit në Prizren.

Objekt i aktakuzës së Prokurorisë janë 4 objekte hoteliere që gjenden të gjitha në zonën historike të Prizrenit, respektivisht në Shadërvan.

Ditën e enjte është dhënë fjala përfundimtare nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mazreku dhe prokurori i rastit, Metush Biraj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nerjovaj tha se beson në pafajësinë e klientit të tij.

Sipas avokatit, Nerjovaj nuk ka qenë përgjegjës për rrënimin e objekteve hoteliere me mbindërtim, por as nuk ka ndërhyrë në punën e inspektorëve duke i penguar për të rrënuar këto objekte, sepse sipas mbrojtësit këto kanë qenë obligim dhe detyrë e inspektorëve.

Bujar Nerjovaj i ishte betuar trupit gjykues për punën e tij të ndershme.

“Betohem para jush se kam punuar me nder dhe përgjegjësi për vendin dhe qytetin tim”, ka thënë ai në fjalën përfundimtare.

I njëjti tha se me përgjegjësi të plotë dhe me siguri deklarohet para trupit gjykues se nuk i kishte tejkaluar kompetencat dhe se nuk ka hezituar të marrë vendime në bazë të ligjit.

Në fund Bujar Nerjovaj ka kërkuar nga Gjykata që të vërtetojë pafajësinë e tij.

“Nuk e ndiej veten fajtor, besoj në Zot, drejtësi dhe pafajësinë time”, kishte thënë po ashtu Nerjovaj.

Trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Xheladin Osmani dhe anëtarët Artan Sejrani dhe Ajser Skenderi, kanë caktuar ditën e hënë për shpalljen e vendimit gjyqësor.

Kallxo.com lidhur me rastin ka raportuar nga momenti i ngritjes së aktakuzës.

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit fillimisht kishte pranuar që të negociojë një marrëveshje për pranim të fajësisë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Por i njëjti i kishte rënë “pishman” dhe ka pranuar që të vazhdohet në gjykim.

https://kallxo.com/zevendesministri-hyn-ne-negociata-me-prokurorine-per-marreveshje-per-pranimin-e-fajesise/

Dëshmitar në këtë proces gjyqësor ishte paraqitur edhe ish- kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

https://kallxo.com/ramadan-muja-deshmitar-ne-gjykimin-e-zevendesministrit-te-qeverise-haradinaj/

Bujar Nerjovaj më parë në një deklarim të tij për KALLXO.com e kishte quajtur të pakuptimtë aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Prizrenit për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, në kohën sa ishte drejtor i Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren.

Ai kishte deklaruar për KALLXO.com se është i gatshëm të dorëhiqet në rast se ka bazë në akuzat ndaj tij.

https://kallxo.com/pas-aktakuzes-ndaj-zv-ministrit-nerjovaj-reagon-kryeministri-haradinaj/

Kryeministri Haradinaj lidhur me aktakuzën ndaj zëvendësministrit Nerjovaj kishte deklaruar se është rast i vjetër dhe si e tillë nuk paraqet asnjë problem për qeverisjen e tanishme të tij.

“Është një lëndë e vjetër, nuk është gjatë kohës së qeverisjes. Kushdo që akuzohet për vepër në përgjegjësinë që e ka tash, do të veprohet menjëherë. Ajo është një lëndë e vjetër. Zotëri Nerjovaj është i akuzuar në raste tjera, pra s`ka të bëjë me përgjegjësinë e tashme”, ka qenë qëndrimi i Haradinajt.

https://kallxo.com/haradinaj-toleron-zv-ministrin-e-akuzuar-per-korrupsion/

Aktakuza e Prokurorisë së Prizrenit ndërlidhet me objektet hoteliere që gjenden në gjenden në Zonën e parë të Qendrës Historike në Prizren: Hotel ”Shadërvan”, hotel ”Classic”,  hotel “Centrum” (të gjitha këto me mbindërtime), si dhe hotel ”Kaqinari” (sipas aktakuzës i ndërtuar pa leje) .

Aktakuza, përshkruan edhe detaje tjera të mospagesës së taksave komunale, me të cilat Prokuroria pretendon se këto katër objekte kanë dëmtuar edhe buxhetin e Komunës së Prizrenit për 36 mijë e 143 euro.