Pal Lekaj

‘Nervozohet’ ministri: Po punojmë çdo ditë për zhbllokimin e rrugës për Shkup

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar ashpër ndaj raportimit të mediave lidhur me reagimet që kanë ardhur pas mbylljes së qarkullimit rrugor në segmentin Kaçanik-Hani i Elezit.

Ai po ashtu ka bërë të ditur që nga e enjtja do të fillojnë punimet në rrugët lokale për të zgjidhur problemet e fshatrave që i përshkon kjo rrugë.

Sot gjatë ditës, Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Ylber Bajra nëpërmjet një letre të hapur kërkoi nga Kryeministri, Ramush Haradinaj shkarkimin e ministrit Lekaj për shkak të këtij vendimi.

“Me ministrin dhe zv përkundër insistimit tim për komunikim ndër institucional nuk ia kemi dal të merremi vesh! Ju njoftoj se banorët e fshatrave të prekura të dy komunave kanë paralajmêruar protestë të dhunshme nëse sot deri ora 14.00 nuk gjendet zgjidhje. Duke ju besuar në plotni, parandaloni të keqen!Ju lutem merre ministrin e vizitoni sot kryetarët e komunave në fjalë! Në të kundërten kërkoj publikisht shkarkimin e Pal Lekaj”, shkroi Bajra në Facebook.

Megjithatë, Lekaj në reagimin e tij tha se vendimi nuk është marrë ‘për qejf’ dhe bëri thirrje për bashkëpunim e jo për siç i quajti ai ‘zhurmë sa për lajme’.

Rruga Kaçanik-Hani i Elezit ishte mbyllur më 8 maj pas vlerësimit se ekziston rrezik nga shembja e kodrës.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Lekajt.

E kam theksuar e po e ritheksoi përseri, vendimi që të ndalohet lëvizja në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit nuk është marrë për teke personale, por pasë vlerësimeve të ekspertëve se çdo ditë e më shumë përbën rrezik dhe rrjedhimisht duhet të veprohet që të ruhet jeta e qytetarëve e më së shumti e njerëzve të Kaçanikut, të Elezi Hanit e pastaj për të gjithë të tjerët që e frekuentojnë atë segment.

Ju them me përgjegjësi të plotë se çdo ditë po punohet që të bëhet zgjidhje e shpejtë dhe rruga të rikthehet në funksion. Por poashtu nuk guxojmë të lejojmë që gjërat të bëhen vetëm sa për të thënë, çdo ngutje nënkupton diçka tjetër, e mund të përsëritet ajo që ka ngjarë thuajse në çdo vit, sepse asnjëherë nuk është zgjidhur që sa vite ashtu siç duhet, e për tu sanuar problemi (rreziku) njëherë e përgjithmonë.

 Të gjithë duhet të kontribuojmë që çështja, e “bllokimit” të aksit rrugorë që na lidhë me Maqedoninë, të marrë zgjidhjen e duhur e jo të bëjmë thirrje “demagogjike – linçuese”, siç patëm rastin të lexojmë së fundmi.

 Çdo herë që janë kërkuar takime e sqarime, jo vetëm për ketë rast, por për çdo problematikë, prej kur e kemi marrë mandatin, kemi tentuar të jemi me të gjithë bashkë, për t’iu mundësuar zgjidhjet dhe njëjtë kemi vepruar edhe më nevojën për rrugët alternativë të Kaçanikut. Të dielën që shkoi (13 maj 2018) ekipet tona kanë qenë në terren bashkë me udhëheqjen e Komunës së Kaçanikut, ku është përcaktuar lokacioni i rikonstruktimit të rrugës për qarkullim të përkohshëm, prandaj nuk i kuptojë “zhurmat” sa për lajme. 

 Kemi qenë në kontakt e vazhdojmë të jemi dhe të kemi gjithë mbështetjen e kryeministrit Haradinaj që nga fillimi për ketë çështje sikur për gjithë zhvillimet tjera. Por poashtu nuk mundem pa e përmend, sepse ne jemi realista dhe nuk bëjmë politikë por merremi seriozisht me temat, nuk e kemi “shkopin magjik”, për të zgjidhur të gjithë problemet (të gjitha të trashëguara) brenda ditës.

 Duke ju dhënë gjithë garancitë se nuk jemi ndalë e nuk do të ndalemi për të zgjidhur problemin në fjalë, ju njoftojë se këtë të enjte, fillojnë punimet në rrugën lokale (e cila është në përgjegjësi të mirëmbajtjes nga Komuna e Kaçanikut) Kotlinë – Ivajë, me gjatësi prej rreth 2 kilometrave, dhe kështu do të zgjidhet problemi për qarkullimin e përkohshëm të këtyre fshatrave.