Nëntë fëmijë të kthyer nga Siria me prindër të vdekur në luftë

Nëntë nga 74 fëmijët kosovarë që u kthyen dje nga Siria humbën prindërit e tyre në luftë.

Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj kur po jepte detajet e operacionit të kthimit.

“Janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu 9 fëmijë që kanë humbur pridnërit në luftë”, tha ai.

Megjithatë, ai nuk specifikoi nëse fëmijët kanë mbetur pa të dy prindërit e tyre.

Të gjithë të kthyerit që nuk janë të dyshuar për pjesëmarrje në luftën në Siri, janë dërguar në Qendrën për Azil kërkuesit në Vranidoll të Prishtinës.

Atje ata do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore nga Instituti i Shëndetësisë Publike dhe më pas sipas Qeverisë do të riintegrohen.

“Këto gra, meritojnë rehabilitim dhe shpresë për një jetë të qetë dhe këta fëmijë, në vend të zonave të konfliktit, e kanë vendin në shkollë, për tu edukuar mbi të ardhmen e tyre. Këta shtetas tanë, veçmas fëmijët, kanë kaluar një periudhë të rëndë traumatike dhe përballë tyre, ne do të marrim përsipër kujdesin në mënyrë që eksperienca e tyre e hidhur të tejkalohet” tha sot Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Një hulumtim i Gazeta Jeta në Kosovë në dhjetor të vitit 2018 tregoi se në Komunën e Hanit të Elezit janë gjithsej 3 fëmijë të rikthyer nga zonat e luftës.

Elez Bushi, drejtor i qendrës për punës sociale në Han të Elezit kishte se për ta ishte sfidë të trajtonin tre fëmijë të rikthyer nga zonat e luftës.

Gjyshja e tyre kishte përfunduar duke marrë kujdesin për ta.

“Fillimisht këta fëmijë, prej aeroportit kur janë kthyer i ka marrë Qendra për Punë Sociale për përkujdesje në Prishtinë, pastaj jemi njoftuar me shkresë zyrtare nga qendra në Prishtinë që tre fëmijët janë të vendosur në SOS Fshatin. Pastaj kemi filluar procedurat tona për vendosjen e kujdestarisë, kur për tre javë rresht kujdestari i fëmijëve duke mos pasur punëtor, kam kërkuar që të bëhem kujdestar i tre fëmijëve”, tregon drejtori i QPS-së në Han të Elezit për Gazetën “Jeta në Kosovë”.

Pra, mungesa e kujdestarëve në vende të tilla, ka bërë që drejtori i QPS-së, të ngarkohet me kujdestarinë e tre fëmijëve të kthyer nga luftërat e huaja. Fëmijët e kthyer, sipas drejtorit Bushi janë trajtuar edhe në mënyrë mjekësore por edhe në mënyrë psikologjike.

“Kemi pasur vizita të shpeshta, të atyre fëmijëve, ka qenë një përkujdesje shumë e mirë, po e falënderoj SOS Fshatin. Ka pasur trajtime mjekësore, psikologjike, të gjitha, pastaj kur janë bërë kushtet e kemi pasur të arsyeshme që fëmijët të strehohen te të afërmit. Gjyshja e tyre ka shprehur dëshirë të përkujdeset për ta. Vazhdimisht e përcjellim gjendjen e tyre i shikojmë. Këta fëmijë janë duke u rritur dhe kanë një mirëqenie të mirë”, thotë drejtori Bushi për Gazetën “Jeta në Kosovë”.

20 Prill 2019 - 11:56

Doruntina Baliu 20/04/2019 - 11:56
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend