Nënshkruhet protokolli për ekstradime mes Kosovës dhe SHBA-së

Protokolli i instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në Mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është nënshkruar gjatë ditës së sotme.

Zyra për informim e Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri ka njoftuar se ministri dhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, kanë nënshkruar protokollin ku sipas tyre  ky nënshkrim shënon një rast historik për marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve në fushën e bashkëpunimit juridik.

“Traktati pasqyron realitetin e ri në Ballkan, ka thënë ministri Tahiri, dhe sipas tij, kjo marrëveshje fuqizon edhe më tej sundimin e ligjit dhe subjektivitetin e Kosovës, duke e bërë një partner të besueshëm në luftën kundër krimit trans nacional”, thuhet në njoftimin e MD-së.

Tutje sipas njoftimit, ministri Tahiri ka thënë se traktati është simbol i bashkëpunimit të shkëlqyer në mes dy vendeve dhe pasqyron parimet për luftimin efikas të krimeve që janë karakteristike për shekullin 21.

“Sipas ministrit Tahiri, nënshkrimi i sotëm i jep një kahje krejt të re bashkëpunimit mes dy vendeve, duke rritur bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit,  si dhe duke u ofruar prokurorëve dhe autoriteteve tjera në të dy anët e Atlantikut mjete të reja për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim.