Nënshkrimi i marrëveshjes për sigurimet sociale me Zvicrën, Foto: KALLXO.com

Nënshkruhet marrëveshja për sigurimet sociale me Zvicrën

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka nënshkruar marrëveshje për sigurimet sociale me Zvicrën.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes tha se kjo është një ndër marrëveshjet më të rëndësishme të nënshkruara.

Ai premtoi angazhim në inicimin sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje për ratifikim në Kuvend.

“Është një moment emocional dhe shumë i rëndësishëm sepse sapo nënshkruam marrëveshjen më të rëndësishme. Është marrëveshje për të cilën në jemi angazhuar që nga dita e parë e mandatit. Është bërë një punë e shkëlqyeshme një punë që është negociuar gjatë”, tha ministri Reçica.

Ministri Reçica tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje hapë rrugën që qytetarët e Kosovës të cilët për një kohë të gjatë kanë dhënë kontribut në shtetin e Zvicrës të marrin sigurimet sociale.

Po ashtu ministri tha se qytetarët do të kenë të drejtë për pensione familjare invalidore.

Kjo marrëveshje do të filloj së implementuari pas ratifikimit në Kuvend.

Edhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet premtoi që do të angazhohen që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Ai madje tha se do të mundohen që pagesat e para të bëhen qysh në vitin 2019.

“Ne kemi bërë punë të mrekullueshme. Të dy palët kanë punuar shumë gjatë tri viteve. Para se me fillu negociatat ju keni bërë punë të madhe. Ju keni kryer punët sa i përket regjistrit civil. Ka qenë një kohë e gjatë që kemi pritur për të nënshkruar një marrëveshje të tillë. Ne kemi përfunduar punën tonë dhe tani i përket parlamenteve tona që t’i ratifikojnë këto marrëveshje. Nga ana e palës zvicerane shpreh garancën që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, pagesa e parë do të bëhet në vitin 2019”, potencoi Lebet.

Ndërprerja e marrëveshjes për pensionet në mes Kosovës dhe Zvicrës është bërë në vitin 2010. Kjo marrëveshje ka qenë e nënshkruar mes ish-Jugosllavisë dhe Zvicrës qysh në vitin 1962.

Që nga viti 2010 e deri tani kosovarët që kanë kontribuuar në Zvicër, që kanë punuar e kanë kontribuar atje nuk kanë marrë pensione.