Nënshkruhet Marrëveshja për Koalicion PDK-LDK

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan marrëveshjen për koalicion ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Hashim Thaçi tha se kjo është një marrëveshje e përgjegjësive institucionale e shtetërore.

“Kemi vendosur që të nënshkruajmë për të mirën e vendit, për të mirën e qytetarëve të Kosovës marrëveshjen për koalicion qeverisës të mandatit qeveritar 2014-2018 për ndarjen e përgjegjësive të institucioneve qendrore”, tha Thaçi.

“Marrëveshja është e arsyeshme, racionale për Kosovën evropiane do të ketë hapësirë të mjaftueshme edhe për opozitën, shoqërinë civile e për të mirën e shoqërisë”, u shpreh ai.

Ndërsa Isa Mustafa u shpreh se kjo marrëveshje është bërë “për të mirën e vendit dhe në interes të zhvillimit ekonomik”.

“Me përkushtimin më të madh do t’i realizojmë të gjitha pikat që i kemi vënë në programin qeverisës.  Përkushtimi ynë është që të arrijmë rezultate të arrijmë objektivat”, tha Isa Mustafa.

“Falënderoj zotin Thaçi, të gjithë deputetët e pozitës dhe të opozitës të punojnë që qeverisja e vendit të jetë më e dobishme për qytetarët”, u shpreh ai.