Nënshkrimi i marrëveshjes për arsimin e lartë | Foto: KALLXO.com

Nënshkruhet Marrëveshja për Arsimin e Lartë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për projektin “HERAS – Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Kosovë” i cili do të zgjasë tre vjet.

Gernot Pfandler, ambasadori austriak në Kosovë tha se kontributi austriak në këtë projekt është 1.8 milion euro dhe se ky projekt do t’i kontribuojë arsimit të lartë në Kosovë në një periudhë afatgjate.

“Jemi të bindur se me rritjen e cilësisë në arsimin e lartë do të ulet papunësia. Ne shpresojmë dhe jemi mjaft të sigurt që ky projekt do të kontribuojë në funksionimin e mirë të arsimit të lartë në Kosovë”, shpjegoi Pfandler.

Kurse Arsim Bajrami, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se marrëveshja do të stimulojë hulumtimet shkencore në institucionete arsimit të lartë.

“Është një projekt ku ne do të punojmë së bashku tre vjet me të gjitha universitetet publike për t’i rritur kapacitetet e universiteteve për sigurimin e cilësisë, për të stimuluar punën kërkimore brenda universiteteve, për të forcuar standardet e jashtme të sigurimit të cilësisë përmes Agjencisë Kosovare të Akreditimit”, tha Bajrami.

Ky projekt ka tre komponenta, e para është ajo e politikëbërjes që të përmirësojë cilësinë, efektivitetin, udhëheqjen dhe transparencën e arsimit të lartë.

Komponenta e dytë ndihmon universitetet publike për rritjen e cilësisë së brendshme.

Komponenta e fundit është ajo e kërkimit dhe hulumtimit shkencor nga fakultetet, institutet dhe hulumtuesit individualë, ndërsa ka si qëllim përmirësimin e kapaciteteve njerëzore me bursa dhe projekte hulumtuese.

Projekti “Heras” do të zbatohet nga viti 2017 deri në vitin 2019 por duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Ky projekt është bashkëfinancim i ADA-s dhe MASHT-it kurse partnerët e tjerë në këtë projekt janë të gjitha universitetet publike në Kosovë dhe Agjencia Kosovare e Akreditimit.