Nënkryetari i Vetëvendosjes i gëzohet rënies së 'Qeverisë Haradinaj'

Besnik Bislimi, nënkryetar i LVV-së, tha se janë të gëzuar për rënien e qeverisë së Haradinajt, pasi që sipas tij kjo ishte njëra nga qeveritë më të këqija të pasluftës në Kosovë.

“Ditën e djeshme me 19 korrik u vetërrëzua para se të shkarkohej qeveria më e madhe dhe më e shkurtër e Kosovës së pasluftës. U vetëshkarkua para se të binte qeveria që kishte kapur shtetin si asnjë tjetër para saj. Një qeveri enorme dhe e korruptuar. Opozita e vërtetë gëzohet gjithnjë kur bije qeveria e sidomos kur bije një qeveri si jo që e kishim ne. Jemi të gëzuar pra që ra qeveria me 23 ministra, pesë zv/kryeministra, mbi 80 zv/ministra, eme 35 këshilltarë vetëm për kryeministrin”, tha ai.

Bislimi tha se kjo qeveri ishte inovative vetëm në shpikjen e pozitave të panumërta për të rehatuar familjarë dhe militantë partiak nëpër poste publike.

“Qeveria që tregoi inovacion vetëm në shpikjen e panumërt të pozitave e posteve të reja për të rehatuar qindra familjarë e militantë. Kjo qeveri shkeli së paku tri ligje për t`ia siguruar Contur Global-it shitjen e energjisë, kredinë bankare dhe fitimin e garantuar prej 18.5 %. Ia dyfishuan vëthes pagat në shtetin më të varfër dhe papunësinë më të madhe në Evropë”, tha ai.

Nënkryetari i LVV-së  Besnik Bislimi, gjithashtu tha se qeveria e Haradinajt i fali Malit të Zi territor.

“Ua falën borxhin ndërmarrjeve të papërgjegjshme në pronësi të oligarkëve. Ia falën 8200 ha territorit të Kosovës Malit të Zi. Mashtruan qytetarët me vite për liberalizimin e vizave. E legalizuan krimin dhe e kthyen në vlerë nepotizmin. E quan drejt falimentimit PTK-në me menaxherë partiak, jo kompetentë që dinin gjithçka përveç punës së menaxherëve. E mbushën një të tretën e kabinetit me njerëz nën hetime për vepra kriminale. E diskredituan arsimin universitar”, tha Bislimi.

https://kallxo.com/kurti-paralajmeron-thacin-qe-menjehere-ta-caktoj-daten-e-zgjedhjeve/

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë së Kosovës.

Historiku i Gjykatës Speciale

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.