Takimi i Ramush Haradinajt me nënën, motrat dhe kunatën | Foto: Facebook

Nëna dhe Motrat i Shkojnë në Zyrë Ramush Haradinajt

Ramush Haradinaj sot i pati në zyrë, krahas mysafirëve tjerë, edhe nënën, motrat dhe kunatën.

Lajmin për takimin me anëtarët e familjes dhe urimin që mori prej tyre për zgjedhjen kryeministër, Haradinaj e publikoi në Facebook.

“Sot më zbukuruan ditën me vizitën e tyre nana ime, Ruka, dhe motrat Mema e Antigona, si dhe kunata Suzana, që erdhën nga Gllogjani për t’më uruar për përgjegjësitë që kam marrë për ta drejtuar Qeverinë e vendit”, shkroi Haradinaj.

Ky takim, sidomos me nënën, e ktheu figurativisht Haradinajn në fëmijëri.

“Secili takim me nanën na i freskon kujtimet e fëmijërisë dhe të rritës, na i kujton vuajtjet por edhe ëndrrat dhe gëzimet familjare”, vijoi postimi i Haradinajt.

Haradinaj pastaj vlerësoi sakrificat e nënës së tij.

“I jam mirënjohës nanës dhe i përkulem, jo vetëm që më ka sjellë në këtë botë, por mbi të gjitha si nanë e dashur dhe durimtare e dhjetë fëmijëve”, shkroi Haradinaj.

Ai konstatoi se dashuria për nënën e shtyn që të jetë “në shërbim të të gjithë njerëzve të Kosovës, pa dallim, i dashur dhe i kujdesshëm për me i dalë në ndihmë secilit njeri që ka halle”.