Nehat Thaçi Mohon se ka Qenë në UÇK

Nehat Thaçi, drejtori i Policisë në rajonin e Mitrovicës, i cili u arrestua muajin e kaluar nga Serbia, e ka mohuar akuzën ndaj tij për një sulm terrorist nda një familjeje serbe në vitin 1999.

Nehat Thaçi gjatë seancës gjyqësore të hënën në Beograd ka mohuar akuzat se ai ka dëbuar një familje serbe nga një fshat i Lipjanit gjatë luftës së Kosovës në korrik të vitit 1999 duke i kërcënuar ata me bombë.

“Ai u deklarua i pafajshëm dhe sa se as nuk e njeh familjen që u dëmtua. Ai gjithashtu deklaroi se nuk ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)  dhe se nuk është në listën e veteranëve të UÇK-së”,  tha për BIRN, Vladimir Gajiq, një nga avokatët e Thaçit.

Thaçi, i cili është në krye të departamentit të policisë në rajonin e Mitrovicës, u arrestua në kufirin Kosovë-Serbi më 18 shtator, nën akuzat për terrorizëm.

Avokatët e tij thanë se do të dorëzojnë një mocion të martën duke kërkuar lirimin e tij nga mbajtja, nën arsyetimin se atij asnjëherë nuk i është dërguar një thirrje për tu paraqitur në Gjykatën e Serbisë.

“Pasi kemi parë brenda dokumenteve të gjykatës, ne kemi parë se atij nuk i është dërguar asnjëherë thirrje,” tha Gajiq.

“Policia e ka dërguar një dokument që thotë se ata nuk mund të dërgojnë një thirrje për seancë duke qenë se ai gjendet në Kosovë. Një nga arsyet pse ai është dërguar në mbajtje është sepse ai gjoja ai nuk i është përgjigjur thirrjes së gjykatës”, shtoi ai.

Avokati tjetër i tij , Sead Spahoviq i tha televizionit rajonal N1 të hënën se Thaçi i është nënshtruar të gjitha kontrolleve të sigurisë të vendosura nga forcat e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe se ai nuk do të mund të ishte caktuar si shef i policisë në Mitrovicë nëse ka qenë i përfshirë në ndonjë krim.

Parlamenti i Kosovës do të debatojë vazhdimin e mbajtjes së Thaçit të martën dhe do të dërgojë rekomandime qeverisë për atë se çfarë veprime duhet të ndërmarrë Prishtina si përgjigje ndaj kësaj çështje.

Shumë  ish- anëtarë të UÇK-së janë në listat e të kërkuarve të Serbisë të cilët akuzohen për terrorizëm por listat nuk janë publike.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive në Kosovë, Behxhet Shala, ka paralajmëruar së fundmi se çdo shqiptar i Kosovës që ka qenë i përfshirë në luftë rrezikon të arrestohet nëse hyjnë në Serbi.