Në vitin 2018 u hapen rreth 10 mijë biznese të reja

Në vitin 2018, në Kosovë janë regjistruar 9 mijë e 805 biznese të reja, në anën tjera janë mbyllur 1 mijë e 426 biznese. Në krahasim me vitin 2017-të, numri i bizneseve të regjistruara është më i lartë për 6 për qind apo 582 biznese më shumë. Në anën tjetër, u mbyllën më pak biznese në 2018-ën se një vit më parë. Me një rënie pre -12 për qind apo 197 biznese më pak të shuara.

Bazuar në këto të dhëna, çdo muaj në Kosovë u regjistruan mesatarisht 817 biznese dhe u shuan mesatarisht 118 sosh.

Tre muajt e parë të sivjetmë, gjithsej janë regjistruar 2 mijë 404 ndërmarrje. Krahasuar këtë tremujor me tremujorin paraprak ka një rritje për 0.1 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërkaq, krahasuar tre muajt janar-mars të sivjetmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka një ulje për -5.9 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara.

Qytetarët të fokusuar për hapje të biznesit tregtarë, e të riparimeve të mjeteve motorike

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 596 ndërmarrje të regjistruara (24.8%); prodhimi me 277 ndërmarrje të regjistruara (11.5%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 253 ndërmarrje të regjistruara (10.5%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim, me 240 ndërmarrje të regjistruara (10.0%); ndërtimtaria me 232 ndërmarrje të regjistruara (9.7%); ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël”, njofton ASK.

Gjatë këtij tremujori, në kategorinë e numrit të të punësuarve nga 1 deri në 4 janë gjithsej 2 mijë e 314 ndërmarrje të regjistruara apo 96.3 për qind; në kategorinë me 5 deri në 9 të punësuar janë 61 sosh apo 2.5 për qind; në kategorinë me 10 deri në 19 të punësuar janë 20 ndërmarrje të regjistruara 0.8 për qind; në kategorinë me 20 deri në 249 të punësuar janë 8 ndërmarrje të regjistruara 0.3 për qind; dhe në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar ka një ndërmarrje të regjistruara.

Numri më i madh i ndërmarrjeve është i përqendruar kryesisht në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën. Pastaj në komunë e Ferizajt dhe Prizrenit.

“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 759 ndërmarrje të regjistruara (31.6%); Ferizaj me 183 ndërmarrje të regjistruara (7.6%); Prizreni me 175 ndërmarrje të regjistruara (7.3%); Peja me 146 ndërmarrje të regjistruara (6.1%); Gjilani me 134 ndërmarrje të regjistruara (5.6%); dhe Fushë Kosova me 100 ndërmarrje të regjistruara (5.1%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël”, bën të ditur komunikata.

Këto të dhëna u bën të ditura Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e parë (TM1) 2019 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).