Malli i konfiskuar nga Policia e Kosovës, Foto: Policia e Kosovës

Në veri të Mitrovicës konfiskohen rreth 4 mijë shishe verë

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në veri të Mitrovicës, ka siguruar informacione se në fshatin Zherevnicë të Zveçanit gjendet një depo, në të cilën ka mallra komerciale të ndryshme për të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara.

Policia ka njoftuar se hetuesit rajonalë policorë të Mitrovicës së Veriut kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe operacionale ku edhe është identifikuar lokacioni ku gjendet kjo depo me pronar A.R., 34 vjeçar.

“Gjatë realizimit të kontrollit pronari nuk ka qenë prezent për shkak se i njëjti ditë më parë ishte arrestuar nga zyrtarët policorë nga stacioni i Zveçanit, sipas urdhëresës për arrestim të lëshuar nga Gjykata e Mitrovicës për vepra të ndryshme penale, mirëpo prezent gjatë kontrollit ka qenë babai i tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë gjatë kontrollit në këtë depo janë gjetur sasi e konsiderueshme e mallit të ndryshëm komercial për të cilat pronari, në këtë rast babai i pronarit, nuk ka qenë në gjendje që ta prezantojë dokumentacionin përkatës për të dëshmuar prejardhjen e mallit.

Zyrtarët doganorë kanë konfiskuar 192 shishe verë Chardanay, 360 verë Krstac, 3396 shishe verë Vranac, një makinë (linje) prodhimi me pajisje përcjellëse , nëntë rafte metalike, nëntë fotokopje Color, një kompresor, 2915 litra vaj motorik 15w40, 300 litra vaj hidraulik HL68, 14.628 litra tretës nitro.

Policia ka njoftuar se pas konfiskimit, malli është dërguar në Degën Doganore në Mitrovicë, kurse veprimet policore do të vazhdojnë të kryhen nën autorizimet e Prokurorit nga prokuroria themelore në Mitrovicë.