Në Shtator Marrëveshja për 50 Milionët nga Amerika

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa më 12 shtator në Washington do të nënshkruajë marrëveshjen për programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit.

Kosova nga ky program pritet të përfitojë 50 milionë dollarë, ndërsa lajmi për nënshkrimin e marrëveshjes u bë i ditur nga një komunikatë e Zyrës së kryeministrit.

Sipas komunikatës, qeveria në detyrë ka bërë përgatitjet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me partnerët e SHBA-së kanë bërë të gjitha përgatitjet për finalizimin e kësaj marrëveshje”, thuhet në komunikatë.

Marrëveshja në të ardhmen pritet të realizohet në bashkëpunim me organet qeveritare, bizneset dhe shoqërinë civile.

Gazeta Jeta në Kosovë në dhjetor të vitit të kaluar zbuloi se Kosova edhe pse ishte zgjedhur të përfitojë nga programi “Compact” i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, është zhvendosur në një program më të ulët përfitimi- atë në “MCC Threshold”.

Kjo zhvendosje e Kosovës ka ndodhur ngase Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit ka konsideruar se nuk ka progres në luftim të korrupsionit në vitin 2017.