Në Shqipëri, Bora Bllokon Disa Fshatra

Orët e fundit të shoqëruara me reshje të shumta bore kanë rënduar më tej situatën në veri dhe juglindje të Shqipërisë.

Në Bellovode të Korçës trashësia e borës arrin në 40 cm dhe banorët kërkojnë ndihmë për hapjen e rrugës.

Në këtë fshat ka pasur një emergjence pasi një familje kërkoi ambulancën për shkak të problemeve shëndetësore të një gruaje.

Shumë fshatra në qarkun e Korçës janë të izoluar e banorët thonë se reshjet e borës i gjetën të papërgatitur sa i takon bazës ushqimore për bagëtitë.

Reshjet kanë izoluar pothuajse të gjitha zonat malore të qarkut Dibër.

Trashësia e dëborës varion nga 20 centimetra ne qytetin e Peshkopisë deri në 1 metër në zonat e thella malore.

Ndërkohë në Mirditë dëbora ka sjellë probleme në fshatrat e njësive administrative Selite, Fan dhe Orosh.

Sipas shtabit të emergjencave në Prefekturën e Lezhës rrugët kryesore janë të kalueshme, ndërsa në rrugën e Kombit në disa segmente lëvizja është e mundur vetëm më zinxhirë.

13 mjete borëpastruese janë të angazhuara për mbajtjen në kontroll te situatës.

Policia këshillon drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes dhe të jenë të pajisur me zinxhirë e goma dimërore.

Edhe fshatrat në zonën e Malësisë së Krujës kanë ndërprerë komunikimin.

Probleme në disa zona të thella ka edhe me furnizimin me energjinë elektrike dhe është dashur ndërhyrja në terren e grupeve te OSHEE.

Ndërkohe Ministria e Arsimit konfirmon se në 321 shkolla në të gjithë vendin është ndërprere procesi mësimor për shkak të kushteve atmosferike. /21Media

ETIKETA

27 Shkurt 2018 - 22:31

RTV 21 27/02/2018 - 22:31
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend