Në seancën solemne, njerëz të akuzuar për vrasje e krim të organizuar

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës kushtuar kremtimit të 11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në mesin e të ftuarve u panë edhe njerëz që po përballen me ligjin.

Në mesin e të ftuarve që u panë të ulur në pjesën ku zakonisht qëndrojnë mediat ishin edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci.

Gani Geci është duke u gjykuar në gjykatë lidhur me një vrasje që ka ndodhur më 2014.

Rasti i tij është kthyer në rigjykim.

Po ashtu, në mesin e të ftuarve ishte edhe Azem Syla, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, i cili është duke u gjykuar për krim të organizuar.

I pranishëm ishte edhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili po përballet me drejtësinë për të shtëna me armë në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.

Sot, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne për nder të 11-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Në këtë mbledhje kishte pak mysafirë nga vendet mike.

Në mesin e tyre ishin Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, Massimo d’Alema, ish-kryeministër i Italisë, dhe William Walker, ish-ambasadori i OSBE-së që e njoftoi botën për masakrën e kryer nga forcat serbe në Reçak.

Ndërsa, në mesin e të ftuarve specialë ishin edhe Rifat Jashari, nga familja legjendare Jashari, Rrahman Rama, komandant i Ushtrisë së Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit në ditën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, udhëheqës fetarë, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, etj.