Në Rigjykimin e Ramadan Mujës Lexohen Deklaratat e 10 Dëshmitarëve

Në rigjykimin e ish-kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja dhe ish-zyrtarëve të kësaj komune u lexuan deklaratat e dhjetë dëshmitarëve të dhëna gjatë gjykimit të kaluar.

Ditën e sotme u lexuan deklaratat e dhjetë dëshmitarëve: Jetish Abdullahu, Elder Sanders, Gursel Skenderi, Fail Hoxha, Ramo Skenderi, Luljeta Rizanaj, Ibrahim Krasniqi, Imer Hoxha, Visar Islamaj si dhe Rrahim Alijajt.

Gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor kanë dëshmuar gjithsej 26 dëshmitarë, kështu që për seancën e radhës kanë mbetur për t’u lexuar edhe dëshmitë e nëntë dëshmitarëve të tjerë.

Seanca e radhës do të mbahet me datën tetë maj

Në seancën e shqyrtimit fillestar Muja dhe zyrtarët e ish-zyrtarët tjerë të Komunës së Prizrenit janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me veprat të cilat ju vihen në barrë.

http://kallxo.com/muja-nuk-kam-kryer-veper-penale-por-veper-humane/

Rigjykimi i Ramadan Mujës dhe të tjerëve është zhvendosur nga gjykata e Prizrenit në atë të Gjilanit me kërkesë të kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, me arsyetimin se njëra nga veprat penale me të cilat ngarkohej Muja lidhej me kallëzimin penal të Gjykatës në Prizren.

Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren, është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqit iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.