Foto operacioni ortopedi

Në QKUK kryhet një operacion i rrallë te një foshnje

Mjekët në QKUK kanë ndërhyrë te një foshnje më pak se njëmuajshe, e cila kishte probleme me frymëmarrje, njofton Zyra për Media e Qendrës Klinikë Universitare të Kosovës.

Sipas tyre fëmija kishte komplikime të lindura te muskuli i diafragmës dhe deri në ditën e operimit ishte mbajtur gjallë me respirator.

“ Problemet e tilla paraqiten në një në dymbëdhjetë mijë fëmijë. Pas konsultave mes Klinikës së Neonatologjisë dhe Kirurgjisë së Fëmijëve, në ditën e 28 të saj të lindjes, foshnja, që kishte një peshë prej 1800 gramë, i është nënshtruar intervenimit kirurgjik”, njofton QKUK.

Sipas drejtorit të Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, ky është një rast shumë i rrallë.

“Në bashkëpunim me kirurgët e Kirurgjisë Pediatrike foshnja është operuar, është kthyer në klinikë, ka qëndruar një javë dhe ka shkuar  më pas në shtëpi me gjendje stabile, me peshë prej 2300 gramë. Është ky rasti i parë që operohet në moshën neonatale”, thotë Gojnovci.

Kirurgu i fëmijëve, Ardian Shefkiu, ndërkaq, tha se në repartin ku punon stafi mjekësor kryhen operacione edhe më të ndërlikuara te fëmijët.

“Në Kirurgji të Fëmijëve kryhen operacione të mëdha, të cilat i shpëtojnë fëmijët. Kemi një ekip goxha të përgatitur, në kuptimin kirurgë të fëmijëve, neonatologë dhe anesteziologë, të cilët janë goxha në nivel”, thotë Shefkiu.