Foto: RTV 21

Në pranga dy të rinj, kultivonin drogën në bodrum

Dy persona janë arrestuar mëngjesin e së shtunës si të dyshuar për prodhim dhe tregtim të drogës.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup, njoftojnë se kanë dorëzuar te prokurori publik padi penale për personin S.K. 25 vjeç dhe G.K. 28 vjeç, nën dyshimin se kanë kryer vepër penale “prodhimin e palejuar dhe shitjen e lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekurzorëve”.

Sipas SPB së, dy të rinjtë po mbahen në stacionin policor të Gazi Babës, arrestim të cilit i ka paraprirë bastisja ku janë gjetur disa pako marijuanë dhe pajisje të tjera për kultivimin e drogës.

Autoritetet e rendit, nën dyshimin se do të gjejnë gjurmë shtesë në këtë vepër penale, kanë bastisur edhe bodrumin e shtëpisë ku është gjetur një çantë me pesë pako me marijuanë të kompresuar, një qese me sasi më të madhe të marijuanës dhe paketime më të vogla të gatshme për shitje, shkruan tv21.tv.

“Të arrestuarit kanë blerë dhe kanë instaluar sistem laboratorik për prodhimin e marijuanës, i cila ishte i destinuar për klientët e Shkupit. Gjatë bastisjes në shtëpinë e banimit në lagjen Aerodrom të Shkupit dhe në shtëpinë e pushimit në fshatin Morani, janë gjetur 6,4 kg marijuanë dhe 203 saksi me bimë të kanabisit. Janë gjetur edhe pajisje tjera që janë përdorur për prodhimin e drogës, andaj të dyshuarit janë arrestuar dhe po mbahen në stacionin policor”, tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.