Kryetari i Gjilanit dhe ministri i Infrastrukturës marrin pjesë në fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës Gjilan-Livoç i Ulët – Foto: Komuna e Gjilanit

Në Prag të Fushatës, Gjilani ‘Vërshohet’ nga Projektet Infrastrukturore

Vlera e këtij projekti është afro 2 milionë euro.

Sipas një komunikate të Komunës së Gjilanit, kryetari Haziri ka thënë se zgjerimi i rrugës do të fillojë prej qendrës së qytetit dhe do të përfundojë në fshatin Livoç i Ulët, e që e integron në zonën urbane.

“Rruga do të ketë katër korsi, zonën e gjelbër, infrastrukturën  përcjellëse nëntokësore dhe ndriçimin publik”, citohet të ketë thënë kryetari Haziri.

Ndërtimi i kësaj rruge është paraparë të zgjasë 150 ditë pune.

Ndërsa ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, citohet të ketë thënë se kjo rrugë do të ndërtohet sipas standardeve më të larta.

Ministri paralajmëroi se në fillim të korrikut do të hapen ofertat për zgjerimin e rrugës Gjilan-Liqeni i Livoçit, e cila ka gjatësi 2.9 kilometra si dhe do të fillojë rekonstruimi i plotë i rrugës prej Kllokotit deri në Gjilan.

“Definitivisht, gjatë kësaj jave presim që ta kemi edhe shpalljen e tenderit në përputhje me mendimet e Qeverisë dhe Komisionit Ndërministror për autostradën e Gjilanit”, ka thënë po ashtu ministri Zharku sipas komunikatës së Komunës së Gjilanit.

E kryetari Haziri fillimin e ndërtimit të autostradës Gjilan-Prishtinë e ka quajtur kthesë historike për investimet në Gjilan.

Gjithë këto projekte infrastrukturore janë paralajmëruar një ditë para nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Edhe kryetari Haziri edhe ministri Zharku janë pjesë e LDK-së.