Në Muzeun Kombëtar të Kosovës hapet ekspozita 'Hartografia evropiane dhe territoret shqiptare'

Muzeu Kombëtar i Kosovës ka hapur sot ekspozitën “Hartografia evropiane dhe territoret shqiptare”, të koleksionistit Afrim Ethemi.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj përveç ministrit të Kulturës Kujtim Gashi, morën pjesë edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi dhe ai i Shqipërisë, Qemal Minxhozi.

Ekspozita përmban 40 harta të ndryshme, ku veçohen ato të  Ptolomeut, Gastaldit, Merkatorit apo edhe të Laurenbergut, përmes së cilave ndër të tjerash jepet gjeografia historike e trevave shqiptare.

Duke veçuar rëndësinë e prezantimit të këtyre hartave ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka pohuar se ky koleksion të shndërrohet në një koleksion të veçantë dhe të jetë në dispozicion të institucioneve tona të trashëgimisë dhe studiuesve për hulumtime dhe studime.

“Nga ajo se çfarë shihet brenda këtyre hartave, së pari vërtetohet interesi i hartografëve evropianë për shqiptarë, dhe së dyti vërtetohet rëndësia historike por edhe kulturore dhe turistike e trevave shqiptare”, ka thënë ministri Gashi.

 

Kurse dekani i Fakultetit Filozofik Bujar Dugolli, tha se ky koleksion ka rëndësi për faktin se shoqëria jonë është e varfër me koleksione të tilla.

“Këto harta janë një pasuri e paçmuar historike sepse përfshijnë treva shqiptare dhe është fat që i kemi në një koleksion vendorë”, ka pohuar  dekani Dugolli.

Autori i hartave, koleksionuesi Afrim Hetemi, tha se këto janë disa ekzemplarë të hartave që dikujt ndoshta i kanë shërbyer për t`u orientuar në atë udhëkryq.

“Këtu ekzistojnë disa kujtesa tësë  kaluarës për një popull i cili ende sot ballafaqohet me problemin e asaj ekzistence se ku kemi qenë dhe ku jemi, kush kemi qenë e kush jemi”, ka thënë koleksionuesi Ethemi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës deri më 4 prill 2019.