Kuvendi i Kosovës

Në mungesë të qeverisë shtyhet seanca e jashtëzakonshme për dështimet e politikës së jashtme

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga 42 deputetë lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës ka dështuar të mbahet pasi që kabineti qeveritar nuk ishin qenë prezent në seancë.

Deputetët me 58 vota për 5 kundër dhe asnjë abstenim kanë vendosur që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër të cilën e vendos Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e radhës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka propozuar që kjo seancë të shtyhet dhe kryesia të vendos për datën e mbajtjes së kësaj seance me qenë se sipas tij deputetët e koalicionit nuk janë prezent të gjithë në seancë dhe se mungon kabineti qeveritar.

“Është obligim të jenë në seancë.. Të qartësohet më mirë politika e jashtme karshi objektivave që i ka qeveria e Kosovës. Në mungesë të plotë deputetëve të koalicionit qeverisës dhe në mungesë të  kabinetit qeverisës propozojmë që datat kur të mbahet kjo seancë të caktohet me mbledhjen e ardhshme të kryesisë”, tha Hoti.

Edhe Memli Krasniqi, kryetar i GP të PDK-së, tha se kryeministri dhe zëvendëskryeministri është dashur të jenë prezent në seancë për të diskutuar çështjet e ngritura.

“Kemi marr me kohë edhe një shkresë nga ana e kryeministrit dhe zv/kryeministrit të cilët do të duhej të ishin prezent për të diskutuar çështjet e ngritura në këtë seancë të jashtëzakonshme. E rrugës është ta caktojmë një datë tjetër. Të caktohet pas votimit të Kosovës për pranim në Interpol. Kryesia të vendos për datë tjetër kurdo çoftë nga java tjetër”, tha Krasniqi.

Albulena Haxhiu deputete e LVV tha se ky debat është ftuar me 6 nëntor.

“Kryeministri Haradinaj dhe Pacolli kanë qenë në dijeni qysh para 10 ditëve që ky debat do të mbahet… Zoti Pacolli qe 6 muaj mungon në komisionin për punë të jashtme kjo është papërgjegjësi kundrejt Kuvendit. Me që nuk ka kuorum për me caktuar datën e ardhshme të seancës jemi të pajtimit që kryesia ta vendos kur do të mbahet seanca e ardhshme”, tha ajo.

Edhe kryetari i GP të PSD-së Dardan Sejdiu shtoi se gjithë hapat për seancë të jashtëzakonshme janë plotësuar dhe është për keqardhje që qeveria nuk është në seancë.

“Kjo na është bërë me dije edhe në mbledhje të kryesisë që gjasat për qeverinë me qenë prezent janë minimale. Nëse kryeministrin e kemi në vend atë herë vendi ku duhet të jetë aj është Kuvendi i Kosovës”, tha Sejdiu.

Ahmet isufi shef i GP të AAK-së tha se prej javës tjetër kurdo që kryesia ta vendos mbledhjen koalicioni qeverisës është i gatshëm të marr pjesë.

“Në mbledhje të kryesisë është kërkuar që të shtyhet kjo seancë meqë ministri i punëve të jashtme përmes një letre ju ka drejtuar Kuvendit se është jashtë vendit. Kryeministri për shkak të korrektësisë ka dërguar letër edhe pse nuk ka qenë i ftuar si kryeministër në këtë seancë. Nuk është dëgjuar arsyetimi pse kemi kërku mu shty kjo seancë.  Prej javës tjetër kurdo që kryesia vendos jemi të gatshëm të jemi prezent në seancë”, tha ai.

Bilall Sherifi kryetar i GP të Nisma Socialdemokrate dhe Albert Kinolli nga 6+ e mbështesin shtyrjen e seancës për një datë tjetër.