Në Kuvendin e Kosovës, të premten hapet ekspozita për të pagjeturit 

Organizuar nga Integra dhe forum-ZFD, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur dhe Kuvendin i Kosovës, të premten, më 15 shkurt 2019, duke filluar prej ora 18:00 në Kuvendin e Republikës së Kosovës bëhet hapja e ekspozitës, “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.

Kjo ekspozitë e realizuar me foto të fotografit Atdhe Mulla, të kuruar nga Eliza Hoxha, ndërtohet në baza të një hulumtimi të thukët, historive gojore dhe fotografive të realizuara me familjarë të personave të pagjetur.

Përmes një njoftimi për media organizata Integra njofton se ekspozita vjen si nevojë  parësore që t`u jepet zë familjarëve të personave të pagjetur dhe ky zë të dëgjohet fuqishëm tek palët relevante. Ndërsa hapja në ambientet e Kuvendit rezonon mesazhe thelbësore e simbolike rreth asaj se në cilin drejtim graviton përgjegjësia më e madhe në raport me punën drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, thuhet më tej në njoftim, është planifikuar të hapet me rastin e shënimit të përvjetorit të 11-të të shpalljes së pavarësisë së  Kosovës dhe duke qenë e vendosur në hapësirat e Kuvendit, do të dërgoj një mesazh nëpërmjet gërshetimit të punës hulumtuese, fotografisë dhe një koncepti kuratorial kreativ tek institucionet publike, politik-bërësit dhe tek akterët tjerë të fushës së Drejtësisë Tranzicionale drejtë zbardhjes së fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Gjithashtu përmes kësaj ekspozite synohet një mbështetje për familjarët e personave të pagjetur në një proces që ju garanton të drejtën për të ditur dhe statusin e dëshmitarëve historik, si dhe pjesëmarrjen në formësimin e kujtesës kolektive.

Në hapjen e ekspozitës do të marrin pjesë akterë të shumtë lokal dhe ndërkombëtar duke përfshirë udhëheqësit politik, përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit artistik, përfaqësues të institucioneve nderkombëtare, etj.

Ekspozitë do të qëndrojë e hapur në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri me datë 30.04.2019.