Pamje nga një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara - Foto: REL/AFP

Në KS të OKB-së, vendet mike i kërkojnë Kosovës ta heqë taksën

Në sesionin e radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, vendet mike i kanë kërkuar Kosovës ta heqë taksën 100 për qind të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Edhe një herë shtetet si ShBA, Gjermania, Franca, Britania e Madhe e Belgjika kanë kërkuar që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi i Gjermanisë në Këshill të Sigurimit ka kërkuar heqjen e taksës në mënyrë që të vazhdojë dialogu.

“Gjermania afirmon përkushtimin për dialogun e udhëhequr nga BE-ja, për normalizimin e marrëdhënieve, në këtë drejtim kancelarja Merkel dhe presidenti Macron kanë qenë nikoqir të takimit më 28 prill dhe do të vazhdojnë në përkrahin procesin e udhëhequr nga BE-ja. I ftojmë Qeverinë e Kosovës që ta heqë tarifën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, këto tarifa janë në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s”, ka thënë ai.

Edhe ShBA ishte në një linjë me Gjermaninë për vazhdimin e dialogut dhe heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

“ShBA dëshiron shkurtimin e mandatit të UNMIK-ut sepse besojmë që ka përmbushur mandatin e vet. Ne ndajmë brengën me sekretarin sa i përket tensioneve dhe prioritet duhet te jetë reduktimi i barrikadave dhe vazhdimi i menjëhershëm i dialogut. Për Kosovën kjo do të thotë heqja e taksës 100 për qind mbi importet nga Serbia”, ka thënë përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara.

Sipas tij përfshirja e zyrtarëve të UNMIK-ut në aksionin në Veri  është vërtetë brengosëse dhe për këtë duhet të priten edhe rezultatet e hetimit të UNMIK-ut për këtë çështje.