Foto: Ministria e Bujqësisë

Në Kosovë ia kërkojnë dorëheqjen, Rikalo fotografohet me Merkelin në Berlin

Partia Social Demokrate i ka vënë kusht kryeministrit Ramush Haradinaj shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, në këmbim të votës për buxhetin e vitit 2019, por Rikalo ka marrë pjesë sot në Forumin Global për Ushqim dhe Bujqësi 2019, në Berlin të Gjermanisë dhe është fotografuar në grup të ministrave bashkë me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Ministria e Bujqësisë përmes një komunikate, ka njoftuar se në këtë forum, ministri Rikalo po merr pjesë me ftesë të ministres së Ushqimit dhe Bujqësisë të Gjermanisë, Julia Klockner, i cili mbahet në kuadër të Panairit ndërkombëtar “International Green Week”.

Ministri Rikalo, i cili njëherësh aktivitetin e tij në ministri po e ushtron si i dorëhequr bashkë me kolegët e tij të tjerë nga Lista Serbe, në Berlin është shprehur se do ta vazhdojë  mbështetjen e zhvillimit të bujqësisë në vend.

“MBPZHR-ja edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë mbështetjen e zhvillimit të bujqësisë në vend, me qëllim të rritjes së prodhimit bujqësor dhe zhvillimit të bizneseve në këtë fushë që do të shtojnë vende të reja të punës por edhe do të rrisin cilësinë dhe sasinë e produkteve vendore. Po ashtu, jemi të fokusuar dhe të gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e bujqësisë”, citohet të ketë thënë ministri Rikalo, gjatë takimit me homologët e tij të vendeve të ndryshme të botës.

Foto: Ministria e Bujqësisë

Në komunikatën e ministrisë theksohet se, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka pritur në takim ministrat e bujqësisë nga vende të ndryshme të botës, në të cilin takim ka marrë pjesë edhe ministri Rikalo. Gjatë fjalimit të saj, kancelarja Merkel ka folur për rëndësisë e teknologjisë digjitale për të ardhmen e bujqësisë”, thuhet në komunikatë të MBPZHR-së.

Sipas njoftimit, ministri Rikalo ka zhvilluar  takime me homologët e tij nga vendet pjesëmarrëse në këtë forum, por edhe me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme të bujqësisë nga Gjermania dhe vende të tjera.

“Krahas këtyre takimeve, ministri Rikalo do të marrë pjesë edhe në hapjen e ngjarjes më të rëndësishme për bujqësinë dhe ambientin, ‘Java e Gjelbër Ndërkombëtare’, që po ashtu mbahet në Berlin, në të cilin prezantohen dhjetëra shtete nga e mbarë bota. Ndërkaq, pjesë e delegacionit të MBPZHR-së është edhe Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Kapllan Halimi”, përfundon njoftimi.

https://kallxo.com/nenad-rikallo-nuk-del-te-raportoje-para-komisionit-parlamentar/