Në Klinë Mungojnë Barnat Esenciale

Pacientët ankohen se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë ka mungesë të barnave të listës esenciale, ndërsa për këtë zyrtarët shëndetësorë klinas fajësojnë Ministrinë e Shëndetësisë.

Hyrë Kalludra, paciente në këtë shtëpi shëndeti thotë se të gjitha barnat për trajtimin e saj i ka blerë me para të vetat.

“ Krejt duhet mi ble me pare, me injeksione, me barna….me infuziona, me krejt duhet mi ble..katastrofë, s’di as çka me thanë ma tutje… vështirë është, ” ankohet Kalludra.

Edhe pacientja tjetër Ajshe Bresilla thotë se gjithë pensionin e shpenzon në barnat që i duhen.

E pakenaqur me shfrytezimin e barnave  eseniciale u shpreh edhe pacientja Ajshe Bresilla e cila tha se te gjitha paratë qe i perfiton nga te ardhurat penzionionale i shpenzon ne barna.

“ Për me ilaçe s’jem të kënaqur. Krejt me pare tuj ble ni sen se kem. Për dhjetë centë mes këtu nuk kam për me shku mi ble, pensionin çka e marr krejt këtu e harxhoj,“ thotë Bresilla.

Për mungesën e barnave Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë Ali Ahmetxhekaj fajëson Ministrinë e Shëndetësisë.

Ali Ahmetxhekaj drejtor i QKMF-së në Klinë

“Në vitin e kaluar diku 32% është realizuar lista me barna esenciale. Ndërsa këtë vit, në katërmujorin e parë kemi edhe ma tepër zvogëlim të barnave nga kjo listë. Jo per mu arsyetu, por faji nuk është i yni sepse ne me kohë bëjmë kërkesat,por furnizimi nga Departamenti Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë është i mangët, ” thotë Ahmetxhekaj.

Edhe Bedri Gashi, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Klinë thotë se nga Ministria e Shëndetësisë kjo komunë për barna esenciale furnizohet vetëm me çerekun e mjeteve që i takojnë.

Bedri Gashi drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Klinë

“Nga përllogaritjet tona të sakta del se nga 110,000 mijë euro qe duhet të përfitojë komuna e Klinës sasi barnash nga lista esenciale, ne vitin e kaluar kemi marrë diku 33,335 euro qe do te thotë kemi arritur ta realizojmë natyrisht pa fajin tonë kuptohet, këtë hyrje të barnave në Komunën e Klinës,” thotë drejtori Gashi.

Zyrtari për informim në Ministrinë e Shëndetësisë Faik Hoti pranon se ky institucion shëndetësor të Klinës nuk furnizohet kënaqshëm me barna.

“ Për shkak të mungesës se buxhetit në dispozicion, në vitin 2014 QKMF ‘Nënë Tereza’ në Klinë ka pranuar barna dhe material shpenzues në vlerë prej 43,778.60 euro, që i bie se kjo QKMF ka qenë furnizuar në parametrat 40 %, përqindje e cila nuk është e kënaqshme,” thotë Faik Hoti.

Por drejtori i QKMF-së Ali Ahmetxhekaj dhe ai i Shëndetësisë Bedri Gashi japin një shifër më të vogël të ndarjes së mjeteve për barna dhe material shpenzues nga Ministria e Shëndetësisë për këtë qendër.

Ndryshe nga Ali Ahmetxhekaj, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë që thotë se mjetet financiare për barna, sivjet janë zvogëluar, Faik Hoti thotë se këto mjete janë shtuar.

“Duke pasur parasysh rritjen e buxhetit për vitin 2015 furnizimi me barna dhe material shpenzues është shumë më i mirë dhe sa për ilustrim kjo QKMF në katërmujorin e parë të vitit 2015 ka qenë e furnizuar me barna dhe material shpenzues me vlerë prej 20,036.10 eurosh dhe ky furnizim do të jetë i qëndrueshëm,” thotë Hoti.

Drejtori i Shëndetësisë në Klinë thotë se mungesa e barnave po e vështirëson ofrimin e shërbimeve shëndetësore në këtë komunë.