Zyra e gjyqtares Lindita Jakupi - Foto: KALLXO.com

Në gjyqin për dhunë në familje, të dëmtuarave u pamundësohet pjesëmarrja në seancë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm-Divizioni për Çështje Penale është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar në gjykimin ndaj të akuzuarve B.R. dhe N.R.

Ndonëse data e mbajtjes së seancës gjyqësore kishte qenë e caktuar më herët dhe përkundër faktit se palët u paraqitën me kohë në Gjykatë, të dëmtuarave dhe monitorueses së KALLXO.com iu pamundësua pjesëmarrja në seancë gjyqësore.

Palëve të interesuara për të përcjellë këtë seancë gjyqësore nga sigurimi i Gjykatës u ishte dhënë informacioni se seanca gjyqësore do të mbahet në Objektin D në sallën nr.22, për çka edhe palët kishin shkuar në atë sallë dhe prisnin ardhjen e gjyqtares së rastit Lindita Jakupit për të filluar seanca gjyqësore.

Pas dita minutave pritjeje, punëtoret e sigurimit i kishin lajmëruar palët se seanca nuk do të mbahet në sallën nr.22 por në sallën nr.26, me ç‘rast atyre u ishte kërkuar që të zhvendosen në sallën tjetër.

Pas zhvendosjes në sallën tjetër, nuk vonoi shumë dhe në sallë të Gjykatës erdhi sekretarja juridike e cila i njoftoi palët se për shkak se ajo sallë e Gjykatës nuk është e pajisur me kompjuter, gjyqtarja ka vendosur që seancën gjyqësore ta mbajë në zyrë.

Pas pranimit të kësaj informate palët u drejtuan për në zyrë të gjyqtares Lindita Jakupi, ku edhe pritej të zhvillohej seanca gjyqësore.

Por, pasi që arritën te zyra e gjyqtares Lindita Jakupi e njëjta nuk i lejoji palët e dëmtuara dhe monitoruesen e KALLXO.com që të marrin pjesë në seancë gjyqësore.

Ajo kërkoi nga të dëmtuarat si dhe nga monitoruesja e KALLXO.com që në asnjë mënyrë të mos e pengonin mbarëvajtjen e seancës gjyqësore në të kundërtën do të gjobiteshin në shumë prej 1.000 eurove.

Në lidhje me moslejimin e pjesëmarrjes së palës së dëmtuar dhe monitorueses së KALLXO.com, gjyqtarja Lindita Jakupi nuk nxori asnjë aktvendim apo arsyetim në lidhje me arsyen e moslejimit të tyre në zyrë gjatë seancës gjyqësore, duke pasur parasysh faktin se seanca ka qenë e hapur për publikun.

Në vazhdim të seancës gjyqësore të dëmtuarat dhe monitoruesja e KALLXO.com qëndruan para derës e cila qëndronte e hapur por që hyrja brenda në zyrë nuk u lejohej.

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor pasi që prokurori i rastit, Rrahim Podvorcia e bërë leximin e aktakuzës, të akuzuarit B.R. dhe N.R. u deklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzat të cilat u vihen në barrë.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore. monitoruesja e KALLXO.com kërkoi nga gjyqtarja e rastit të dinte arsyen e moslejimit tyre në seancë, e arsyetimi i gjyqtares ishte se shqyrtimi gjyqësor është i hapur për publikun por që moslejimi i tyre në seancë kishte qenë për shkak të hapësirës së vogël në zyrë.

Seanca e radhës do të mbahet më 16 tetor.

https://kallxo.com/deshton-gjykimi-per-dhune-ne-familje-pasi-munguan-te-akuzuarit/

Sipas aktakuzës, në gusht të vitit 2014 rreth mesnatës në lokalet e QKUK-së në Prishtinë, të pandehurit B.R. dhe N.R. me qëllim që t’i shkaktojnë lëndime trupore me dashje i kishin sulmuar fizikisht viktimat, tani të dëmtuarat A.D. dhe I.R., duke i goditur me bërryl, grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit ku të njëjtave iu kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Nën pretendimin se të pandehurit i kanë kryer këto veprime ndaj të dëmtuarve, Prokuroria i akuzon B.R. dhe N.R. se në bashkëkryerje janë kryes të veprës penale lëndim i lehtë trupor.