Nga një seancë e gjykimit për tenderin e KEK-ut | Foto: KALLXO.com

Në Gjykimin për Tenderin e KEK-ut Prokurori Përmend Kërcënimin e Blerim Dinës

Prokurori Danilo Cecarelli në gjykimin e 6 personave për tenderin 6 milionësh të KEK-ut, përmendi kërcënimin e kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit për një tender tjetër prej 21 milionë eurosh që lidhej me Autostradën Prishtinë- Gjilan.

“Kohët e fundit kemi lexuar në shtyp se kreu i OShP-së Blerim Dina është kontaktuar në emër të të akuzuarit Sami Lushtaku kinse për të diskutuar për një tender në vlerë prej 21 milionë eurove dhe kjo rrethanë nëse është e vërtetë e mbështet dhe konfirmon akuzën ndaj Sami Lushtakut në këtë rast”, tha Cecarelli duke paralajmëruar Dinën si dëshmitar të mundshëm.

KALLXO.com kishte shkruar për kërcënimin e Dinës dhe arrestimin e paraburgimin e Naim Sallahut dhe Shaban Lushtakut në lidhje me këtë çështje, ndërsa ishte përmendur edhe emri i Sami Lushtakut lidhur me këtë kërcënim.

Sami Lushtaku në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” e mohoi se ka gisht në kërcënimin e Blerim Dinës.

Prokurori Cecarelli tha se e ka një përmbledhje në gjuhën angleze në lidhje me kërcënimin e Dinës, ndërsa tregoi se të njëjtën do t’ia sigurojë edhe në gjuhën shqipe gjykatës.

Por avokati Artan Qerkini kundërshtoi thirrjen e Blerim Dinës si dëshmitar.

“Thirrja e mundshme si dëshmitar e Blerim Dinës do të mund të konsiderohej si ndërhyrje në rastin tjetër penal që ka filluar dhe se në atë rast nuk është më cilësinë e të dyshuarit fare Sami Lushtaku”, tha avokati Qerkini.

Prokurori Danilo Cecarelli përveç që paralajmëroi thirrjen dëshmitar të Blerim Dinës, tregoi se heq dorë nga 5 ose 6 dëshmitarë të paralajmëruar.

Për tenderin 6 milionësh të KEK-ut po akuzohen drejtori i kësaj korporate Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha, Sami Lushtaku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Sot në seancë, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Çështja e këtij tenderi të KEK-ut kishte shkuar më herët deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila refuzoi kërkesën e të akuzuarve për t’i vënë masë të përkohshme procesit.

http://kallxo.com/kushtetuesja-refuzon-arben-gjuken-sami-lushtakun-hysni-hoxhen/

Për tenderin e KEK-ut Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar në vitin 2014, ndërsa hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, e aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Tender Milionësh për Ish-Truprojën dhe Nipin e Sami Lushtakut

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.