Gjykimi për tenderin e KEK-ut - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin për tenderin 6-milionësh, dëshmitari thotë se KEK-u nuk u dëmtua nga kontrata

Në gjykimin për tenderin 6 milionësh të KEK-ut, ku të akuzuar janë drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve Hilmi Lushtaku, Ymer Dragusha, Avni Lushtaku si dhe Edmond Nulleshi.

Dëshmitari Hilmi Lushtaku i cili më herët kishte dëshmuar në këtë shqyrtim gjyqësor por para trupit gjykues të EULEX-it, deklaroi se qëndron prapa deklaratave të tij të dhëna më herët qoftë në Polici apo Prokurori dhe se nuk ka asgjë tjetër të shtojë.

Me këtë rast si prokurorja ashtu edhe mbrojtësit dhe të akuzuarit deklaruan se pasi që ky dëshmitar është dëgjuar në këtë shqyrtim gjyqësor nuk kanë më pyetje për të.

Ndërsa dëshmitari tjetër Avni Lushtaku u lirua nga obligimi për të dëshmuar pasi që i njëjti deklaroi se të akuzuarin Milazim Lushtakun e ka vëlla ndërsa të akuzuarin tjetër, Sami Lushtakun, e ka axhë.

Prandaj duke e pasur për bazë afërsinë me dy të akuzuarit, ai u pyet nga kryetari i trupi gjykues Beqir Kalludra nëse dëshiron që të deklarohet rreth kësaj çështjeje penale, por i njëjti e shfrytëzoi të drejtën e tij ligjore për t’u liruar nga obligimi për të dëshmuar.

Kurse dëshmitari Ymer Dragusha dëshmoi kryesisht rreth procedurës së tenderimit për sigurimin e aseteve të KEK-ut.

Për kohën kur është zbatuar ky tender për sigurimin e aseteve të KEK-ut, ai tha se si tenderues kanë qenë “Besa Security” dhe “Security Code”, dhe se drejtor i zyrës së prokurimit për atë periudhë kohore kishte qenë Driton Pruthi.

Ndërsa për vete tha se roli i tij ka qenë në pjesën e parë kur është përgatitur tenderi – Roja dhe siguria e objekteve te KEK-ut.

Për këtë tender deklaroi se ishte anuluar por që më pas ishte ritenderuar.

Arseja e anulimit të këtij tenderi tha se ka qenë për shkak të disa gabimeve teknike.

“Anulimi ka ardhë për shkak se në datën që është publikuar njoftimi për kontratë pas komunikimit me  komisionin, rregullat e prokurimit publik pas sqarimeve që janë dhënë dhe bisedave telefonike të njëjtën ditë që është publikuar njoftimi i kontratës në 12:21 dhe është dërguar njoftimi për kontratë për publikim të njëjtën ditë është publikuar pas gjysmë ore dhe kemi menduar se është publikuar njoftimi që e kemi dërgu mirëpo është një njoftim tjetër i mëhershëm në të cilin kanë bërë vërejtje organi kompetent KRPK-ja”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se ata nuk kishin pasur njohuri se njoftimi ishte dhënë për tjetër njoftim e jo për publikimin e kontratës, prandaj vetëm në ditën e hapjes së dosjes së tenderëve e kanë vërejtur se nuk përputhet njoftimi i kontratës me dosjen e tenderit.

Por, ky gabim deklaroi se nuk ka qenë i qëllimshëm as nga ana e KRPK-së e as nga ana e tyre.

http://kallxo.com/beqir-kalludra-arben-gjukaj-do-te-arrestohet-nese-nuk-paraqitet-ne-gjykate/

“Cilat kanë qenë dy kushtet primare për shpërblimin e operatorit me dhënien e tenderit? A ka qenë çmimi më i volitshëm apo ekonomikisht më i favorshëm?”, e pyeti dëshmitarin avokati Bajram Tmava.

Për çka ai u përgjigj se kushti primar për shpërblimin e operatorit kishte qenë çmimi ekonomikisht më i favorshëm.

Tutje dëshmitari deklaroi se në legjislacionin në fuqi në Kosovë ka qenë e kërkuar pajisja me vetëm një licencë për operatorin ekonomik ndërsa në maj të vitit 2012 ka hyrë në fuqi ligji i ri ku është kërkuar edhe një licencë tjetër por që në dosje të tenderit është kërkuar vetëm ai legjislacion që ishte në fuqi atëherë, kështu që është kërkuar vetëm një licencë.

Por që dëshmitari tha se nuk kishin mundur të vinin deri në fazën e vlerësimit të këtyre licencave për shkak të mospërputhjes së njoftimit për kontratë ashtu që dosja e tenderit ka rezultuar me anulimin e tenderit.

Vendimin për anulim të tenderit tha se e ka marrë Driton Pruthi, pasi ashtu ishte e përcaktuar me Ligjin për Prokurim.

Pas anulimit të tenderit e më pas ritenderimit, dëshmitari tha se më tej nuk është angazhuar në këtë proces.

http://kallxo.com/ne-gjykimin-per-tenderin-e-kek-ut-prokurori-permend-kercenimin-e-blerim-dines/

Ai në fund deklaroi se pas nënshkrimit të kontratës dhe në bazë të kërkesës së pranuar nga drejtori menaxhues që i njëjti ta ketë një informatë në lidhje me këtë tender, ai e ka bërë një analizë në bazë të çmimit për dy operatorët ekonomikë dhe për kontratën e cila tha se ka qenë kontratë kornizë, çmimi më i ulët ka qenë ai i operatorit ekonomik “Security Code”.

Me ç’rast deklaroi se sipas tij kjo kontratë e tenderimit, e cila i është dhënë operatorit ekonomik “Security Code”,  nuk ka pasur dëm për KEK-un.

Gjatë kësaj seance dëshminë e tij filloi ta japë edhe dëshmitari Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv i shërbimeve të korporatës, i cili tha se në kuadër të detyrave të tij ka qenë dhe është mbikëqyrja nga aspekti funksional i shërbimit të sigurimit fizik në KEK.

I njëjti dëshminë e tij do ta vazhdojë edhe ditën e nesërme, ku pritet të merret në pyetje nga mbrojtësit dhe trupi gjykues.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Raportimet për këtë rast mund t’i lexoni në këtë link.

Ky gjykim është një prej rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.