Gjykimi për shmangie nga tatimi - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin për shmangie nga tatimi jepet përsëri fjala hyrëse

Në gjykimin ndaj 8 të akuzuarve për fshehje të tatimit dhe për dokumente të rrejshme është dhënë fjala hyrëse.

Pasi që gjatë seancës së kaluar prokurori i rastit Faik Halili kishte hequr dorë nga vepra penale – krim i organizuar, kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi i ka ftuar palët që edhe një herë ta japin fjalën hyrëse.

Gjyqtari Ibrahimi po ashtu tha se Gjykata ka pranuar një shkresë nga ATK-ja në bazë të së cilës rezulton se të akuzuarit Mentor Emini dhe Enver Hasani kanë përmbushur obligimet e tyre juridike në bazën e faturave, prandaj në lidhje me këta të akuzuar Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka kërkesa pasurore-juridike.

Prokurori i rastit Faik Halili në fjalën e tij hyrëse tha se me anë të ekspertizës së ekspertit Selman Berisha do të arrihet të vërtetohet se të akuzuarit kanë ushtruar veprimtari ilegale.

Sipas prokurorit me këtë ekspertizë do të dëshmohet se të akuzuarit kanë përfituar shuma të mëdha të parave nga shmangia e tatimit për bizneset e tyre, duke lëshuar fatura fiktive.

Në fjalën e tij hyrëse prokurori iu referua edhe ekspertizës së përpiluar nga Njësia e Hetimeve për të cilën tha se ka dallime të dukshme në raport me ekspertizën e ekspertit të pavarur Selman Berishës, ekspertizë të cilës tha se i beson por që Gjykata është ajo e cila do të vendosë në fund.

“Unë i besoj ekspertizës së ekspertit të pavarur ndërsa diferenca në mes ekspertizës nga Njësia e Hetimeve është e madhe dhe të shohim si do të veprojë Gjykata”, tha prokurori.

Ndërsa përfaqësuesi i ATK-së, Shpend Pllana, tha se qëndron në tërësi pranë fjalës hyrëse të prokurorit.

Në raport me të akuzuarit Mentor Emini e Enver Hasani deklaroi se të njëjtit kanë lidhur marrëveshje me ATK-në dhe kanë paguar shmangien që ka qenë borxh bazë ndërsa për pjesën tjetër tha se të akuzuarit kanë përfituar nga falja e borxheve.

“ATK nuk  paraqet kërkesë pasurore-juridike sepse Mentor Emini e Enver Hasani kanë paguar borxhin bazë ndërsa kanë përfituar nga Ligji për faljen e borxheve publike”, tha Pllana.

http://kallxo.com/84-pyetjet-e-tahir-rrecajt-ne-gjykimin-per-demin-4-milionesh/

Mbrojtësi i  Blerim Sinanit, avokati Behar Ejupi, tha se ai e kundërshton ekspertizën e përpiluar nga eksperti Selman Berisha pasi që gjatë përpilimit të kësaj ekspertize të mbrojturit të tij nuk i është dhënë aspak mundësia që të paraqes dokumente apo prova në lidhje me bizneset e tij.

Për klientin e tij tha se i ka pasur të regjistruara bizneset në mënyrë të rregullt, ka importuar mall ashtu siç parashihet me kodin doganor dhe sipas tij në fund edhe gjykata do të bindet se Blerim Sinani nuk i ka kryer veprat penale që i vihen në barrë.

Edhe mbrojtësi i Enver Hasanit, avokati Tahir Rrecaj, e kundërshtoi aktakuzën e Prokurorisë pasi që sipas tij aktakuza është ngritur në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale pasi që Prokuroria e Shtetit nuk e ka përcaktuar saktë kohën e kryerjes së veprave penale.

Sipas avokatit nuk është përcaktuar koha kur i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale dhe se çfarë lloj mallrash ka pranuar dhe cila ka qenë vlera e saktë e tyre. Sipas tij është e paqartë nëse i klienti i tij ka lëshuar apo pranuar fatura fiktive dhe cila është shuma e saktë e shmangies e përcaktuar nga Prokuroria.

Avokati Rrecaj tha se Enver Hasani i ka deklaruar të gjitha deklarimet e mallrave dhe nuk ka asnjë borxh ndaj ATK-së.

Kurse Avni Ibrahimi avokat i të akuzuarit Mentor Emini deklaroi se firma e klientit të tij nuk ka të bëjë me fatura fiktive dhe me mall pa origjinë siç pretendon Prokuroria dhe siç ka prezantuar eksperti i Prokurorisë në ekspertizën e tij.

Sipas avokatit biznesi ka qenë në mënyrë të rregullt me të gjitha dispozitat që i referohen ligjit dhe tatimeve andaj sipas tij do të vërtetohet se Mentor Emini nuk ka të bëjë me veprat për të cilat akuzohet.

“Ai akuzohet se ka lëshuar fatura të rrejshme ndërsa në përshkrimin e aktakuzës thuhet se klienti im ka pranuar fatura fiktive pra në fund të këtij shqyrtimi do të konstatohet se klienti im është krejtësisht i pafajshëm dhe ky trup gjykues do ta lirojë nga aktakuza”, tha avokati Avni Ibrahimi.

Edhe të akuzuarit e tjerë të cilët në këtë seancë u mbrojtën vetë pa avokat deklaruan se e kundërshtojnë aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë si dhe ekspertizën e ekspertit të pavarur.

Kryetari i trupit gjykues tha se pasi që prokurori e ka bërë rikualifikimin e veprës penale, tanimë për këtë vepër për të cilën akuzohen nuk është e nevojshme mbrojtja prandaj më nuk është detyrë e gjykatës që për të akuzuarit të angazhojë avokat sipas detyrës zyrtare kështu që nëse ata dëshirojnë mund ta angazhojnë avokat me shpenzime të tyre.

http://kallxo.com/akuzuari-deshmitarit-nuk-te-dhashe-para-prandaj-jam-ketu/

Në këtë proces gjyqësor janë Blerim dhe Skender Sinani, Sabit e Ramadan Sogojeva, Mentor Emini, Isa Dërguti, Samir Sinanaj dhe Enver Hasani.

Pjesë e këtij procesi gjyqësor ishte edhe i akuzuari Fatmir Sinani, por ndaj tij është veçuar procedura.

Sipas aktakuzës, Blerim, Skender dhe Fatmir Sinani, Isa Dërguti, Samir Sinanaj, Ramadan e Sabit Sogojeva, Enver Hasani dhe Mentor Emini, duke funksionuar si grup i organizuar në periudhën kohore 2010-2014, me qëllim që vetes t’i sjellin pasurim të drejtpërdrejt financiar, i kanë regjistruar bizneset e tyre, disa prej tyre fiktive.

Aktakuza sqaron se për t’iu shmangur pagesës së tatimit të akuzuarit kanë lëshuar fatura fiktive dhe ua kanë mundësuar edhe bizneseve të tjera shmangien nga tatimi.

Në bazë të aktakuzës, disa nga bizneset të cilave u janë lëshuar faturat fiktive nga të akuzuarit në fjalë janë: “Asi” SH.P.K, “Lesa” SH.P.K, dhe NTP “Besa” me pronar të akuzuarin Blerim Sinanin, NTP. “Skenda” dhe “Vali-2” pronar i të cilave është i akuzuari Skender Sinani, “Konto-Web” me pronar të akuzuarin Isa Durguti, “O and M” me pronar të akuzuarin Mentor Emini, “Banana” me pronar Enver Hasanin e shumë kompani të tjera.

Vlera e dëmit që dyshohet se i shkaktuan të akuzuarit buxhetit të Kosovës është 4 milionë euro.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.