Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto: Atdhe Mulla

Në gjykimin për marrje ryshfeti mungon gjykatësja

Ka dështuar edhe një herë të mbahet seanca kundër të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe për marrje ryshfeti.

Mungesa e anëtares së trupit gjykues Dragica Jakovleviq ka qenë arsye e shtyrjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Mitrovicës.

Kryetari i trupit gjykues gjykatësi Avni Mehmeti njoftoi të pranishmit se gjyqtarja Jakovleviq e kishte njoftuar se ka udhëtuar në Beograd për shkaqe shëndetësore, dhe sipas tij në mungesë të kushteve kjo seancë nuk mund të mbahet.

Në seancë prezentë ishin i pandehuri Vlladimir Kovaçeviq dhe mbrojtësi i tij, avokati Faruk Korenica si dhe i dëmtuari Gazmend Zeqiri.

Ndërsa të pranishëm nuk ishin prokurori Njazi Rexha dhe anëtarja tjetër e trupit gjykues, gjyqtarja Liliana Stojanoviq, të cilët sipas gjykatësit Mehmeti janë njoftuar paraprakisht nga Gjykata për shtyrjen e seancës.

Mehmeti njoftoi se kjo seancë shtyhet në afat të pacaktuar.

Ndryshe edhe seanca e fundit në këtë rast, e cila ishte paraparë të mbahej me 23 maj, kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së anëtares tjetër të trupit gjykues, Liliana Stojanoviq.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Vlladimir Kovaçeviq duke punuar si zyrtar në Qendrën për Punë Sociale në Prilluzhë ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

I akuzuari ishte dakorduar më të dëmtuarin, në atë mënyrë që i dëmtuari Gazmend Zeqiri do t’ia paguante shumën prej 100 eurove për  të realizuar të drejtën e tij të asistencës sociale duke i thënë të dëmtuarit se duhet të riaplikojë, edhe pse me vendimin të Gjykatës ka të drejtë në asistencë sociale, duke shtuar se fare nuk do të dërgonte komision për verifikim në shtëpinë e tij, nëse do të paguante këtë shumë.

Sipas Prokurorisë, me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Gjithashtu pasi i dëmtuari i kishte dhënë të akuzuarit shumën prej 100 eurove, me rastin e pranimit i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit, thuhet në aktakuzë.