Rrahim Abdullahu dëshmon në gjykimin e Enver Sekiraqës - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e Sekiraqës, Rrahim Abdullahu tregon ku ishte kur u vra Triumf Riza

Në rigjykimin e Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytje në vrasjen e policit të Kosovës, Triumf Riza, ka dëshmuar edhe një i afërm i të akuzuarit.

Rrahim Abdullahu, i cili ka qenë i akuzuar për ndihmë pas kryerjes së veprës penale në tentativë të Arben Berishës, njeriu i dënuar për vrasjen e Rizës, tregoi sot në Gjykatën e Prishtinës se ku ka qenë në ditën kur është vrarë polici.

Dëshmitari deklaroi se në ditën kritike së bashku me Ilir Abdullahun dhe Arben Berishën kishin pirë kafe në lokalin “Sekiraqa”.

“Paradite nëse nuk gaboj jam kanë në lokalin ‘Sekiraqa’, kam pirë kafe, bashkë me Ilirin, ora saktë nuk më kujtohet. Aty kemi pi kafe dhe pastaj kena dalë, ka ardhë Arbeni, e kam marrë me kerr deri te semaforët ku e kam lënë te kafeneja “Queen’s”, tha ai.

Abdullahu tha se ditën kur ishte vrarë Triumf Riza kishte pranuar një telefonatë nga Arben Berisha, i cili i kishte kërkuar atij ndihmë me arsyetimin se kishte disa probleme.

“Ai më ka thirrë pasdite, nashta u kanë ora pesë. Kur më ka thirrë Arbeni jam kanë në shtëpi. Më ka thanë a po vjen me më marrë se më ka ndodh një problem. Jam dalë prej shpisë edhe i kam pa shumë policë t’u u ngjit përpjetë. E kam parku kerrin dhe i kam pa t’u hi në shpi tem. Pas pak minutave ja kam çu ni mesazh dhe i kam thanë: rri qatje, rri mrena se mirë je”, tha dëshmitari.

Më pas tregoi  që nuk kishte pasur njohuri se çfarë  problemi kishte Arben Berisha atë ditë dhe se për këtë kishte mësuar më vonë përmes mediave.

“Unë nuk e kam ditë çfarë problemi ka pasë Arbeni dhe s’e kam ditë se çka ka ndodhë. M’u ka dokë telashja jem ma e madhe kur i kam pa policinë te shpija. Ma vonë e kam mësuar në media se çka ka ndodhë”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e avokates Kosovare Kelmendi se a ishte urdhëruar nga dikush ta përcillnin të ndjerin Riza, dëshmitari Abdullahu ka mohuar se ata kishin përcjellë tani të ndjerin Triumf Riza sipas urdhrave të Enver Sekiraqës.

“Nuk ka kërkuar për me përcjellë, as nuk e kena përcjellë kurrë, as nuk e kam njoftë kurrë. Me vra dihet kush e ka vra dhe i ka arsyet e veta pse e ka vra”, shtoi Abdullahu.

Më pas ai tha se nuk kishte pasur dijeni për mosmarrëveshjet qe kishte pasur Enver Sekiraqa me Triumf Rizën.

“Enverin e kam djalë të hallës, qysh njihet që ka pasë atentate shumë, i kam ni prej televizorit. Enveri ka pasë probleme kur e kanë sulmu përmes atentateve. Triumf Rizën nuk e kam njoftë dhe kam dëgju për të mbas 30 gushtit 2007”, tha ai.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 23 maj, në të cilën është planifikuar të bëhet administrimi i provave materiale.

Sot, në gjykimin e Enver Sekiraqës ka dëshmuar edhe Arben Berisha, njeriu i dënuar me 35 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës.

Ai ka rrëfyer në detaje versionin e tij për vrasjen e policit të Kosovës, Triumf Riza.

Lidhur me këtë rast, Berisha tha se Enver Sekiraqa është i pafajshëm.

https://kallxo.com/arben-berisha-tregon-ne-detaje-si-e-vrau-triumf-rizen/

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur vrasjen e Triumf Rizës. Për këtë akuzë Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim.

Ndërsa për vrasjen e policit Riza në verën e vitit 2007, Gjykata e kishte gjetur fajtor Arben Berishën dhe e kishte dënuar me 35 vjet burgim.

KALLXO.com e ka përcjellë në tërësi gjykimin e Sekiraqës dhe dosja e plotë e këtij procesi mund të gjendet në këtë link.