Enver Sekiraqa në gjykatë (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e Sekiraqës dëshmuan babai dhe vëllai i Triumf Rizës

Në gjykimin për nxitje të vrasjes së policit Trumf Riza, vepër penale për të cilën akuzohet Enver Sekiraqa, në cilësi të dëshmitareve janë dëgjuar babai dhe vëllai i policit të vrarë.

Visar Riza tregoi për problemet për të cilat tha se vëllai i tij, Triumfi, ka pasur me të akuzuarin Enver Sekiraqa.

Ai gjatë dëshmisë së tij tha se vëllai i tij në vazhdimësi kishte pasur probleme me të akuzuarin.

“Prej fillimit ka pasur probleme me zotërinë këtu, para se më ndodh rasti në Swiss Casino… Unë e di që atë ditë ka qenë me Arben Selmanajn dhe kanë qenë duke hyrë poshtë dhe aty në hyrje, faktikisht i ka ndalë dhe aty ka ndodh ajo çka ka ndodhë. Sa e di ka pasur edhe incizime aty që mundet trupi gjykues me i kërku”, tha dëshmitari.

Përpos këtij rasti dëshmitari tha se vëllai i tij gjatë gjithë kohës kishte pasur probleme me të akuzuarin.

“Non-stop ka pasur përcjellje. Djegia e kerrit, më vonë në fshat e kanë qitë e kanë vendosur në rrugë një ndërprerje dhe këto që unë po i përmend këto raste kanë qenë të hapura të gjitha në polici. Dhe unë kam qenë prezent shumë herë kur na kanë përcjellë”, u shpreh dëshmitari.

Për personat të cilët i kishin përcjellë  Visar Riza tha se me emra nuk e di saktë se si quhen por tha se kanë qenë njerëz të Sekiraqës.

“Tash me emra nuk i di mirëpo ka qenë Rumqi, Liza edhe dy ose tre të tjerë por me emra sinqerisht nuk e di, ka pasur mundësi që ka qenë edhe ky prezent dhe edhe vëllai i vet”, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari rrëfeu se çka kishte ndodhur në ditën kritike dhe si e kishte kuptuar ai që vëllai i tij ishte qëlluar me armë zjarri e që më pas kishte ndërruar jetë.

“Unë kam pasë me punu pasdite dhe Triumfi më ka marrë dhe me ka çu te puna. Gjatë rrugës kemi pasur përcjellje që i ka njohur Triumfi njerëzit e tij, pastaj e di që është kthy se ka pasë me i marrë 100 euro djathin që e kemi çu te Grandi dhe pastaj në mos gabofsha është takuar me Blerimin dhe kemi biseduar në telefon më ka thënë jam te AM&PM, rreth gjysmë ore më pas kam marrë një thirrje prej një shokut që Triumfin e kanë gjujtë. E kam thirr një taksi dhe jam afruar deri në QKUK, kur kam mbrri unë aty ai veç kish pas vdekë. Në ndërkohë Policia ma kanë kumtuar lajmin”, tha Visar Riza.

Ndërsa kur u pyet për Arben Berishën, i cili është në vuajtje të dënimit lidhur me vrasjen e Triumf Rizës, dëshmitari tha se vëllai i tij asnjëherë nuk e kishte përmendur emrin e tij.

Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Kosovare Kelmendi, dëshmitari foli edhe për marrëdhënien të cilën vëllai i tij i ndjerë e kishte pasur me këngëtaren Adelina Ismaili.

“E përmendet lidhjen e vëllait tuaj me Adelina Ismailin, në çfarë rrethanave ka filluar ajo lidhje, a ka filluar kjo lidhje si lidhje spontane, apo ka pasur ndonjë pretekst tjetër?”, e pyeti avokatja dëshmitarin.

I njëjti u përgjigj se nuk e di, mirëpo më pas duke u përgjigjur në pyetjet vijuese të avokates ai tha se në atë kohë, vëllai i tij ka qenë pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, në mbrojtje të afërt (të presidentit Fatmir Sejdiu), duke shtuar se Adelina Ismaili kishte kërkuar mbrojtje nga tashmë i ndjeri, polici Triumf Riza.

“Sa e di unë ajo ka kërkuar ndihmë non-stop, sepse i patën qitë haraç dhe shumë herë e kanë kërcënuar”, deklaroi vëllai i Triumf Rizës, dëshmitari Visar Riza.

Në fund duke u përgjigjur në pyetjet e avokates së të akuzuarit, dëshmitari tha se ai pa mëdyshje beson se pas vrasjes së vëllait të tij qëndron i akuzuari Enver Sekiraqa.

Edhe babai i të ndjerit Triumf Riza, Shefqet Riza, gjatë dhënies së dëshmisë së tij rrëfeu se si kishte kuptuar për vrasjen e djalit të tij.

“Unë kam qenë në zyrën e kryetarit të Komunës në Kaçanik kur më kanë thirrë, më është thënë hajde shpejt se është plagos nga bandat e Sekiraqës. Po e dinë bre edhe policia, se ata recidivistë ishin”, deklaroi dëshmitari.

Edhe Shefqet Riza gjatë dëshmisë së tij deklaroi se Triumfi asnjëherë nuk e kishte përmendur asnjë person me emrin Arben Berisha.
Gjatë kësaj seance dëshminë e tij lidhur me rastin e ka dhënë edhe Blerim Shala.

Ky rast ka filluar rishtazi pasi që Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku Enver Sekiraqa akuzohet për nxitjen e vrasjes së pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë, Triumf Rizës.

Aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës e përfaqëson prokurori Haki Gecaj ndërsa rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Shashivar Hoti, Beqir Kalludra dhe Shadije Gërguri.

Gjatë seancave të kaluara, në rifillimin e gjykimit, Sekiraqa kishte thënë se nuk do t’u përgjigjet as prokurorit dhe as trupit gjykues

“Asnjë përgjigje, as prokurorit e as trupit gjykues nuk u përgjigjem”, kishte thënë Sekiraqa.

https://kallxo.com/enver-sekiraqa-vendos-te-mos-i-pergjigjet-as-prokurorit-as-trupit-gjykues/

Sekiraqa ishte dënuar në vitin 2016 me 37 vjet burg në lidhje me nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza, mirëpo Gjykata e Apelit e gjeti të mbështetur ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu në rigjykim çështjen.

https://kallxo.com/denohet-enver-sekiraqa/

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Shkrimet mund t’i gjeni në këtë link.