Në Gjykimin e Sekiraqës Dëshmuan Prindërit e Tij

Mihrije Sekiraqa nëna e Enver Sekiraqës dëshmoi në gjykimin e djalit të saj.

Ajo gjatë dëshmisë përshkroi ditën kur u vra Triumf Riza, duke thënë se atë ditë shkoi për vizitë te vëllai i saj, pasi nënën dhe kunatën i kishte të sëmura.

“Jemi zgjuar në mëngjes. Babai i Enverit ka shkuar në punë herët, Naseri [vëllai i Enverit] ka shkuar pastaj në lokal, Enveri është zgjuar më vonë. Nuk më kujtohet a kemi pi kafe, Enveri ka dalë kah ora 11ose 12, pastaj unë jam nis me shkua te vëllai pasi që nënën e kam pasur të sëmurë dhe edhe kunata ka qenë e sëmurë,” tregoi Mihrije Sekiraqa.

Ajo më pas foli për bastisjen që ndodhi te dajallarët e Enver Sekiraqës.

“Sa isha te nëna ime më kujtohet se ka mbërri policia është bërë zih aty. Ka qenë një tmerr aty-ato të sëmurat janë tmerruar, policia i kanë thyer dyert, kanë sharë, si kanë shkuar policia unë kam shkuar në shtëpi,” Mihrije Sekiraqa.

Më pas ajo përshkroi atë që ndodhi te Sekiraqët.

“Kemi ndejt pak, Enveri është çuar, është dalë. Nuk ka vonuar shumë dhe kanë ardhur policia, më kanë sharë mua dhe e shtrinë babën e Enverit dhe shkelshin mbi të,” tha Mihrije Sekiraqa.

Edhe babai i Enver Sekiraqës Hamit Sekiraqa tha thuajse të njëjtat gjëra gjatë dëshmisë së tij. Ai tregoi se ditën e 30 gushtit 2007 kishte shkuar në punë dhe kur ishte kthyer prej saj në shtëpi i kishte gjetur Enver Sekliraqën dhe gruan e djalit tjetër-Naserit

Tha se me ta kishte ngrënë drekë, ndërsa kur ishte terruar sipas hamit Sekiraqës në shtëpi u kishte ardhur policia.

“Kemi ndejt edhe pak edhe Enveri ka dalë, pastaj kur është terruar kanë ardhur policia, kanë trokit në derë. Prej tarrace unë ju kam thënë se po ua çeli dyert, por ata i kanë mbushë armët dhe më kanë thënë hin mrena se të vrasim,” tha Hamit Sekiraqa.

Babai i Enver Sekiraqës tha se djalin i tij disa herë e kanë rrahur, e kanë plagosur dhe se as në spital nuk e  kanë lënë të shërohet, por e kanë dërguar në burg.

Ai deklaroi se e dinte që Enver Sekiraqa kishte lidhje me Adelina Ismajlin, por mohoi se kishte njohuri që ata më pas ishin ndarë.

Hamit Sekiraqa tha se djali i tij asnjëherë nuk i ka treguar për konfliktin që ka pasur me Triumf Rizën.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në Swiss Casino në mes të Sekiraqës dhe Triumf Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa  Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje të kësaj vrasjeje.

Sekiraqa gjatë gjithë procesit është deklaruar i pafajshëm duke mohuar kategorikisht se kishte ndonjë lidhje me këtë vrasje.

Përveç prindërve të Sekiraqës në seancën e sotme dëshmoi edhe Naim Sekiraqa, një kushëri i të akuzuarit.

Ai u pyet nga kryetari i trupit gjykues për disa mesazhe telefonike të dërguara e të pranuara me anë të telefonit të tij.

Naim Sekiraqa mohoi se prej telefonit që tha se është i tij i janë dërguar mesazhe Fjolla Morinës, edhe pse pranoi se e njihte Morinën.

Dëshmitari iu përgjigj me jo pyetjes së kryetarit të trupit gjykues nëse Morina ishte e dashura e Enver Sekiraqës.

Dëshmitari u pyet edhe për një person me emrin Lorik, të cilin e identifikoi si djalin e kontabilistit të lokalit të Sekiraqëve.

Kryetari i trupit gjykues ia lexoi Naim Sekiraqës një sms të ardhur në numrin e tij të telefonit, e cila i drejtohej Enver Sekiraqës.

“Përshëndetje Enver, çka je kah bon a je mirë naj send të re kah ti, unë jam shnosh në burg të Dubravës tu nejtë, me ra ndermend thash të përshëndes, tung nga Loriku,” ishte përmbajtja e mesazhit.

Naim Sekiraqa tha se mesazhe për Enver Sekiraqën kanë mundur të vijnë në telefonin e tij.