Ragip Begaj në gjykimin e Fatmir Limajt

Në Gjykimin e Limajt Kryetari i Malishevës Mohon se pa Kufomat

Ragip Begaj, kryetari i Malishevës që po dëshmon në gjykimin e Fatmir Limajt për krime lufte, mohoi se ishte në vendin ku u gjetën të vrarë Ramiz Hoxha e Selman Binishi.

Ragip Begaj tha se kishte dëgjuar se kush ishte vrarë, por nuk i kishte parë kufomat.

“Kam dëgjuar se në rrugën Kravaserisë janë vrarë dy persona, më pas e kam kuptuar se kush janë personat e vrarë. Nuk i kam parë kufomat, nuk besoj që kam qenë aty në atë kohë”, tha Begaj.

Ai bëri të ditur se ku ndodhej kur mori vesh për vrasjet.

“Kam qenë në mal, afërsisht 1 kilometër e gjysmë larg, aty e kam pasë vendstrehimin, rruga Banjë- Kravaseri, ka qenë rrugë e pakontrolluar, ne s’kemi pasur pika kontrolli”, tha Begaj.

Begaj tregoi më pas pozitën në të cilën ndodheshin njësitet e UÇK-së kur u gjetën të vrarë Hoxha e Binishi.

“Pas shpërbërjes së pikës së Bllacës ku ka qenë njësiti ‘Lumi’, me rastin e hyrjes së forcave serbe në Malishevë kemi qenë pa pozita udhëheqëse dhe pa komandë”, tha Begaj.

Ai tha se nga korriku deri në nëntor 1998 u zhvilluan luftime mes UÇK-së dhe forcave serbe.

“Nuk ka pasur luftime sepse ka qenë popullata civile në fshatrat Pagarushë, Kravaseri, Goriq”, tha Begaj.

Ai iu përgjigj edhe pyetjes në lidhje me motivin e vrasjes së Binishit e Hoxhës.

“Siç theksova kam qenë në mal larg nga informimi dhe mediat”, tha Begaj.

Në gjykimin e Limajt dëshmoi sot edhe Jakup Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, më 2 tetor 1998.