Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit të imamëve - Foto: KALLXO.com

Në Gjykimin e Imamëve Përkthehet nga Arabishtja Ligjërata e të Akuzuarit

Në gjykimin e katër imamëve dhe të Fuad Ramiqit për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë, si dëshmitar i radhës u dëgjua përkthyesi Besim Mehmeti.

Mehmeti ishte ftuar që të dëshmonte në lidhje me një video-incizim të shkëputur nga një ligjëratë e Idriz Bilibanit me anë të së cilës Prokuroria pretendon se Bilibani ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Sa i përket video-incizimit, përkthyesi Besim Mehmeti tha se vetëm e ka përkthyer pasi që nuk është në pozitë që të komentojë rreth pikëpamjes fetare që përmban ajo ligjëratë.

“Nga aspekti fetar nuk jam kompetent, vetëm e kam përkthyer”, tha Mehmeti.

Më pas me kërkesën e palëve u lëshua që të dëgjohej ky video-incizim në të cilin shihej idriz Bilibani, i cili ishte duke mbajtur një ligjëratë në gjuhën arabe dhe afër tij Zeqirja Qazimi, i cili e përkthente këtë ligjëratë nga gjuha arabe në gjuhën shqipe.

Kujtojmë se Zeqirja Qazimi ish-imam në xhaminë “El-Kudus” ka qenë i akuzuar për rekrutim në terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes. Ai është dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj e më pas edhe Gjykata Supreme ia ka vërtetuar dënimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

http://kallxo.com/vertetohet-denimi-zeqirja-qazimit/

Gjatë dëgjimit të kësaj video u vu në pah se në disa raste Zeqirja Qazimi, i cili aty kishte qenë në cilësinë e përkthyesit, kohë pas kohe ishte lëshuar në komente personale duke shtuar kështu fjalë nga vetja e tij të cilat nuk kishin qenë fjalët që hoxhë Idriz Bilibani i kishte thënë gjatë ligjëratës, krejt kjo bazuar në përkthimin e përkthyesit zyrtar Besim Mehmeti të cilin e kishte angazhuar Gjykata që të përkthente fjalë për fjalë ligjëratën e mbajtur nga Idriz Bilibani.

Kjo u vërejt edhe në disa pjesë si p.sh në pjesën në të cilën sipas përkthyesit zyrtar Besim Mehmeti, Idriz Bilibani ka thënë: “Ne dëshirojmë mbrojtësit e fesë të cilët mbrojnë fenë, dëshirojmë vëllezër, të cilët mund ta mbajnë flamurin e kësaj feje dhe peshën e kësaj feje”, kurse Zeqirja Qazimi në rolin e përkthyesit e ka përkthyer si: “Dëshirojmë që të kemi njerëz të cilët e kanë dert, e kanë gajle, e kanë merak çështjen e këtij dinit, dëshirojmë që të ketë njerëz të cilët janë të gatshëm për të bartë fjalën e Allahut dhe fjalën e pejgamberit edhe nëse kjo bartje e kësaj fjale është e mbushur me rreziqe të shumta dhe kërkon mund dhe sakrificë të madhe”.

Po ashtu edhe rastin kur një person nga të pranishmit e kishte pyetur hoxhën Idriz Bilibani se: “Cila ishte çështja se pse disa persona gëzohen kur dëgjojnë për vdekjen e një dijetari apo muxhahid”, kurse përkthimi kishte qenë: “Cila është çështja se pse disa persona gëzohen kur dëgjojnë për vdekjen e një muxhahid” duke mos e përkthyer kështu fare fjalën dijetar.

Sipas përkthyesit fjala “muxhahid” në këtë rast e ka kuptimin ata persona që luftojnë për rrugën e Allahut, ndryshe mund të përkthehet si mund ose përpjekje për një çështje konkrete.

Në disa raste të tjera Zeqirja Qazimi gjatë interpretimit të fjalëve të hoxhë Bilibanit ka përmendur edhe fjalën terrorist, të cilën sipas përkthyesit zyrtar në asnjë rast gjatë ligjërimit nuk  e ka përdorur hoxhë Idriz Bilibani.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli se nëse hoxhë Idriz Bilibani kishte arritur të vërente se përkthimi i ligjëratës së tij nuk ishte i duhuri, Idriz Bilibani tha se nuk ka qenë në dijeni për mënyrën e përkthimit nga ana e Zeqirja Qazimit pasi që atëherë nuk e ka ditur gjuhën shqipe siç e di tani.

“Unë atje kam qenë në cilësi të mysafirit, unë nuk kam qenë i koncentruar se çka po përkthen përkthyesi por kam qenë i koncentruar se çfarë po them pas kësaj përgjigje, nuk e kam ditur gjuhën shqipe në atë kohë siç e di tani” tha Idriz Bilibani.

Kurse mbrojtësi i Idriz Bilibanit, avokati Hajrip Krasniqi tha se ai nuk ka vërejtje sa i përket ligjëratës së mbajtur nga i mbrojturi i tij por që ka vërejtje në mënyrën e përkthimit dhe interpretimit të fjalëve të hoxhë Idriz Bilibanit nga ana e Zeqirja Qazimit.

“Nuk ka vërejtje sa i përket ligjëratës së dhënë nga i mbrojturi im por kam plotësisht vërejtje në përkthimin e ligjërimit të përkthyesit në video-incizim/direkt i cili plotësisht e shtrembëron këtë ligjëratë ku flitet për dituri për fenë e Allahut dhe për shumë vlera të tjera fetare por edhe njerëzore si dhe porosi të dhëna për besimtaret e devotshëm të fesë islame”, tha ai.

Sipas avokatit gjatë gjithë ligjëratës janë dhënë vetëm porosi e këshilla të mira se si duhet të sillen njerëzit e assesi porosi për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste siç pretendohen ne aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

“Në tërë ligjëratën e dhënë për të mbrojturin tim ka porosi të bazuara vetëm në Kur’an dhe ajete kuranore duke dhënë porosi që mos të jetë njeriu i vrazhdë por të jetë i butë dhe assesi mesazhe që kanë shtyrë persona që t’i bashkëngjiten organizatave të aluduara në këtë dispozitiv të aktakuzës”, tha avokati Krasniqi.

Kurse prokurori i Prokurorisë Speciale, Haki Gecaj në lidhje me videon e lëshuar nuk e komentoi fare duke thënë se nuk ka asgjë çfarë të shtojë.

Sipas Prokurorisë, në këtë proces gjyqësor të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Enes Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Ndërsa Fuad Ramiqi akuzohet për thirrje për rezistencë.

http://kallxo.com/debatet-per-gjakderdhjen-dhe-shpaten-ne-gjykimin-e-imameve/

http://kallxo.com/leshimi-nje-videoje-perjashton-mediat-nga-gjykimi-imameve/