Gjykimi për grabitjen në marketin "Eli Ab" - Foto: KALLXO.com

Në Gjykatë Lëshohet Video-Incizimi i Momentit të Grabitjes së Marketit në Prishtinë

Tre të akuzuar për vjedhjen e 700 eurove në një market në Prishtinë kanë dalë para Gjykatës për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë.

Astrit Krasniqi, Pajtim Fejza dhe Mejdi Qollaku akuzohen se në gusht të vitit 2017 morën nga arka e marketit “Eli Ab” 700 euro me forcë nga arkëtarja.

I akuzuari i parë, Astrit Krasniqi, kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare, derisa me dy të akuzuarit e tjerë të cilët janë deklaruar të pafajshëm, u procedua me shqyrtim gjyqësor.

Në sallë të Gjykatës u lëshua edhe video-incizimi i marrë nga kamerat e sigurisë së marketit.

Të akuzuarit pohuan që janë personat në video përballë arkës së marketit.

“Personi që shiqon lart tek paketimi i cigareve është Astriti. Në radhitje të personave shihet i pari Astrit Krasniqi, i cili e ka pranuar fajësinë. I dyti është Pajtim Fejza. I akuzuari Fejza blen cigare ndërkaq pagesën e bën me para të tij. Në momentin kur arkëtarja e hap arkën për pagesë, i akuzuari Astrit Krasniqi e kap arkën, ndërkaq dy të akuzuarit e tjerë largohen”, komentoi videon në procesverbal kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi.

Prokurorja Besa Limani në fjalën e saj deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale në fjalë.

Pas fjalës së prokurores, fjalën e mori pronari i marketit, Basri Sopa. Ai tha se dëmi i cili është shkaktuar me rastin e vjedhjes së 700 eurove arrin vlerën prej 1.500 eurove, për shkak edhe të monitorit përreth.

Mirëpo ky ishte shqetësimi më i vogël për pronarin Sopa, i dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Shqetësimi i tij më i madh ishte gjendja e punëtores, të dëmtuarës Mirjeta Gola, prej të cilës janë marrë paratë me forcë.

E njëjta sipas tij ishte shtatzënë në atë kohë dhe ishte shqetësuar shumë pas kësaj ndodhie.

“Unë në atë moment nuk kam qenë duke i vëzhguar monitorët. Ka ardhë njëri nga punëtorët e mi i cili me urgjencë më ka njoftuar se kanë hyrë hajnat dhe më ka kërkuar që të thërras Policinë. Kur kam dalë nga zyra dhe kam shkuar tek arka kam vërejtur se në tokë kishte rënë monitori, arka, para. Për mua ka qenë relevante shëndeti i infermieres, ajo ka qenë shtatzënë. Ajo pyeti sa para i kanë marrë? Me qëllim që ta qetësoj, unë i thashë të njëjtës se nuk kanë arritur të marrin para”, shpjegonte Sopa.

Mirjeta Gola nuk ishte prezente në seancën e sotme pasi që është duke u kujdesur për fëmijën e saj të porsalindur.

Për shkak të kësaj, prokurorja Besa Limani këmbëngulte që të mos procedohet më tutje pa u dëgjuar edhe e dëmtuara Gola, me arsyetimin se është dëshmitarja kyçe dhe okulare në këtë proces gjyqësor dhe rrjedhimisht askush nuk mund të tregojë për ngjarjen e përjetuar më mirë se ajo.

Por, ndryshe nga ajo mendojnë avokatët e dy të akuzuarve të cilët nuk e kanë pranuar fajësinë.

Avokati i Pajtim Fejzës, Shpend Bokshi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë kundërshtimeve të parashtruara në kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe se do të vërtetohet se Pajtimi nuk e ka kryer këtë vepër penale.

Ndërkaq avokatja e Mejdi Qollakut, Lendita Keqekolla- Gashi, deklaroi se prokuroria nuk ka sqaruar se cilat kanë qenë veprimet konkrete të Qollakut.

“Në rastin konkret, i mbrojturi im përveç që ka hyrë në dyqan për blerjen e disa sendeve, pas marrjes së atyre sendeve ka pritur për pagesë. Është e paqartë se me cilat veprime ka kryer veprën penale. Po ashtu nga incizimet të cilat i kam parë edhe vet, vërehet qartë se i mbrojturi im nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe është i habitur kur ka vërejtur se çfarë po ndodhë nga shoku i vet dhe nga paniku ka ikur”, tha avokatja Keqekolla- Gashi.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, për arsye se prokurorja Limani insistoi përsëri që në këtë çështje penale të dëgjohet edhe e dëmtuara Mirjeta Gola, seanca e radhës u caktua për muajin qershor.

Sipas aktakuzës, më 21 gusht 2017, rreth orës 20:45, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, të pandehurit Astrit Krasniqi dhe Pajtim Fejza në grup me të pandehurin Mejdi Qollaku, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme dhe pas marrëveshjes paraprake për të grabitur kanë hyrë në marketin “Eli Ab” në lagjen Dardania në Prishtinë me pronar – të dëmtuarin Basri Sopa, ku deri sa e dëmtuara dëshmitarja Mirjeta Gola ishte duke punuar në arkë, të pandehurit pasi kanë bërë lëvizje në market, janë afruar te e dëmtuara dhe pasi kanë kërkuar disa herë t’u ndërrohet porosia, përnjëherë i pandehuri Astrit me forcë ka tentuar të marrë e gjithë arkën, por në rezistencë të mjaftueshme të të dëmtuarës kanë shtyrë me forcë të dëmtuarën dhe në këtë mënyrë kanë arritur të marrin shumën prej 700 euro, pastaj kanë ikur nga vendi i ngjarjes.