Foto: Komuna e Gjilanit

Në Gjilan paralajmërohen masa ndëshkuese ndaj operatorëve që nuk respektojnë kontratat

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka paralajmëruar operatorët ekonomik se do të ketë tolerancë zero ndaj atyre që nuk i respektojnë kontratat në realizimin e projekteve me kohë.

Këto komente, Ismajli i ka bërë gjatë vizitës së punimeve në ndërtimin e shkollës në fshatin Haxhaj, palestrën e sporteve në Zhegër dhe gjatë inspektimit të punimeve në asfaltimin e rrugës në Selishtë.

Gjatë vizitës në shkollën fillore në Haxhaj, i dyti i Komunës së Gjilanit është ndarë i kënaqur me intensitetin e punimeve, duke shfaqur shpresën se ky projekt do të përfundohet sa më shpejtë.

Ndërkaq, pasi ka vizituar punimet infrastrukturore në Selishtë, nënkryetari Ismajli pohoi se ndërtimi i rrugës ka qenë jetike për banorët atje dhe pritet të përfundojë brenda tri ditësh.

Ndërkohë, për projektin e palestrës në fshatin Zhegër, Ismajli është shprehur se është një dinamikë e kënaqshme e punimeve, duke e njoftuar operatorin se nëse nuk i përmbahet kontratës sa i përket planit dinamik, do të merren masa ndëshkuese.

“Është vendosmëri e kryetarit Haziri për zero tolerancë ndaj të gjithë operatorëve të papërgjegjshëm të cilët duhet të mësohen që t’i respektojnë kontratat e punës. Në të kundërtën, do të merren masa ndëshkuese ndaj tyre”, ka deklaruar nënkryetari i Gjilanit.