Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita ‘Pullë postare’

Ekspozita “Pullë postare” e autorit Haxhi Gjoni, do të hapet të enjten, më 25 tetor, në ora 19:00, në  Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.

Ekspozita është kuruar nga Naser Shatrolli, ndërsa prezantohen skulptura përmes së cilave autori Haxhi Gjoni shpërfaq kreativitetin e profilit të vet skulpturor, bërë me tehun e daltës.

Kjo ekspozitë, para së gjithash ka simbolikën e daktilografisë shprehëse, nisur me paraqitjen në medaljone të personazheve të mëdha siç është Nëna Terezë, e cila vjen si format pusulle ose si pullë postare në kontekstin e gjenezës, prejardhjes dhe vizionit të saj prej paqeje botërore.

“Skënderbeu”, “Koka e shqiponjës”, “Familja e murosur në gur”, “Hyjnesha në fron”, “Mikelanxhelo”, “Koka e kalit” etj., janë disa prej punimeve të tij me të cilat paraqet identitete historike, të farkëtuara në kulturën e gurit afrikan, indian, apo ballkanik.