Mbledhja e Task Forcës për aksionin "Ta pastrojmë Kosovën" - Foto: MMPH

Në fund përgatitjet për aksionin më të madh për ta pastruar Kosovën

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot për herë të parë ka mbledhur Task Forcën ndërministrore për fillimin e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.

Në komunikatën e MMPH-së thuhet se deri në fund të javës institucionet do të dalin me një plan veprimi dhe do të themelojnë grupet teknike të punës për të nisur këtë aksion të madh.

“Jemi në rrugë të mirë, diskutuam hapat e parë. Po fillojmë me 15 shtator aksionin më të madh të pastrimit të Kosovës që është zhvilluar ndonjë herë në Republikën e Kosovës. Ne, gjatë javës së ardhshme do ta kemi versionin final të planit të aktiviteteve, planin e punës dhe përgjegjësit e secilit institucion pjesëmarrës në këtë Task Forcë dhe po ashtu do të themelojmë grupet teknike të punës”, thuhet në komunikatë.

Matoshi ka paralajmëruar që gjatë periudhës tremujore të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”,  do të ketë edhe aprovim të masave shtesë që do të kontribuojnë për ruajtjen e ambientit nga ata që kanë qëllim ta dëmtojnë.

“Gjatë këtij tremujori ne do të nxjerrim udhëzimin administrativ që parasheh gjobat mandatare për gjithë ata që hedhin mbeturina në vende që nuk janë të lejuar. Ky udhëzim do të finalizohet gjatë periudhës sa do të zgjasë aksioni.  Pastaj Strategjia nacionale për menaxhimin e mbeturinave do të jetë e përfunduar brenda tre muajve sa do të zgjasë aksioni për pastrimin e Kosovës.  Njësia e policisë së gjelbër, të paktën një njësit i saj do të funksionalizohet brenda kësaj kohe”, citohet të këtë thënë Matoshi.

Aksioni  “Ta pastrojmë Kosovën” do të fillojë më 15 shtator 2018 dhe do të zgjasë deri më 15 dhjetor 2018.