Gjykimi i Arben Bashotës - Foto: KALLXO.com

Në fjalën përfundimtare, grupi i Arben Bashotës krahasohet me mafitë

Gjykimit të Arben Bashotës dhe dy vëllezërve Sylejman dhe Osman Bajrami, të akuzuar për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, i ka ardhur fundi.

Prokurorja Merita Bina-Rugova në fjalën përfundimtare kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, ajo kërkoi të anulohen të gjitha veprimet juridike të ndërmarra nga dokumentet e falsifikuara.

Prokurorja tha se ka ardhur koha që qytetarëve të Kosovës por edhe Komisionit Europian për liberalizimin e vizave t’u tregojmë se Kosova është shtet juridik dhe ligji funksionon dhe krimi i organizuar luftohet.

Në fjalën përfundimtare prokurorja tha se me provat e administruara në këtë gjykim, është vërtetuar se  të akuzuarit kanë kryer një mori të veprave penale gjatë periudhës 12 vjeçare, ku kanë arritur të punojnë në realizimin e planit të pronës shoqërore shumëmilionëshe.

“Zyrtarët e Kadastrës si Nora Kelmendi, Shyqri Spahiu, Doruntina Peqani kanë qenë të kërcënuar, ku një prej provave të administruara në këtë shqyrtim është një parashtresë ku Arben Bashota ia ka dorëzuar Drejtorisë së Kadastrës me datën  16 gusht 2013 dhe është e nënshkruar nga i akuzuari ku në të thuhet: “Si qytetar po iu drejtohem me këto fjalë: Mos luani me kokën tuaj, zbatoni ligjin!”, tha Merita Bina-Rugova.

Tutje prokurorja tha se falsifikimi është kryer dhe dokumentet janë përdorur por jo nga Marko. Sipas prokurores dihet se kush qëndron pranë këtyre pretendimeve, ku tha se djali i Markos, dëshmitari Dragan Mitroviq, kishte treguar se cili person i ka shkuar te shtëpia, të cilin Marko e ka përzënë, duke kërkuar që pronësia mbi këtë parcelë të kalojë nga “Bujqësia” në emër të Markos, si dhe kush e ka kërcënuar Osdautajn me kidnapimin e djalit të tij, këtë e kishte dëshmuar Osman Osmani.

“Pasi që më 10 maj 2012 Bashota kishte  arritur që pronën ta regjistrojë në emër të 6 njerëzve të tij në emër të kontratave të falsifikuara”, shtoi prokurorja Merita Bina Rugova.

Tutje ajo tha se  kemi dëgjuar edhe  për sulmin me armë në  vitin 2008 në “Toto sport”, ku 13 persona kishin mbetur të plagosur, nga grupi i Arben Bashotës dhe sipas saj as për këtë vepër penale ende nuk është dënuar askush. “Ky grup kishte  gjuajtur edhe bombë në objektin e të dëmtuarve”, tha ajo.

“Fare nuk është kontestuese se objektet në atë tokë i kanë ndërtuar të dëmtuarit, ku i dëmtuari Murat Tërrnava ka qenë i detyruar që t’u paguajë haraç në mënyrë që t’iu lejojë të shfrytëzojë lokalin për biznes të vet, edhe fizikisht ka qenë i dëbuar nga këto objekte të cilat më pas janë shfrytëzuar nga të akuzuarit. I dëmtuari Agim Kumori ka qenë i detyruar të paguajë  165 mijë euro në mënyrë që të mos ia rrezojnë objektin”, tha Merita Bina-Rugova.

Sipas prokurores, konsiderohet se këto fakte janë plotësisht të mjaftueshme të vërtetohet se ky grup kriminal e ka kryer veprën penale të detyrimit në vazhdimësi, ku në krye të tij ka qenë Arben Bashota.

Më pas ajo tha se me veprimet e të akuzuarve janë përmbushur edhe elementet e veprës penale – krim i organizuar. “Detyrimi i kryer ne grup me përdorimin e armës, vepra është kryer nga ana e më shumë se 3 personave, grupi i Arbenit ka krye vrasje ne tentativë, kërcënime të rënda, falsifikim i dokumentit, legalizimi, shtrëngimi, pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrë zyrtare. Aktiviteti i tyre kriminal është kryer në periudhë të gjatë kohore, mbi 10 vite”, pohoi ajo.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Skender Musa, tha se të  akuzuarit aktivitetet e tyre kriminale i kanë kryer në mënyrë profesionale duke përdorur metoda të specializuara duke u përpjekur të mos lënë gjurmë ku kishin arritur t’u shmangen organeve të ndjekës, nga viti 2004 e deri në dhjetor 2005, me qëllim të përfitim të dobisë pasurore, duke vepruar si grup kriminal.

“Sipas marrëveshjes duke ushtruar dhunë fizike, psikike, duke ofruar lidhjen me organet shtetërore, kanë arritur të përvetësojnë ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 10 hektarë e 12 ari në vlerë milionëshe si dhe objektet afariste të të dëmtuarve në vlerë mbi 2 milionë euro. Ky grup kriminal është i ngjashëm me të gjitha llojet e mafive që ekzistojnë në botë”, tha Musa.

Më pas avokati Skender Musa kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë për krim të organizuar lidhur me detyrim, si dhe Gjykatës i propozoi që t’i anulojë gjashtë kontratat e falsifikuara, si dhe të urdhërojë lirimin e objekteve afariste.

“Ne kemi bërë precizimin e kërkesës pasurore juridike, propozojmë që nga mjetet e konfiskuara dhe mbledhja e qirave të palës së dëmtuar të kalojnë këto mjete te Murat Ternaves, dëmi i shkaktuar 395 mijë e 600 euro, t’i obligojë të akuzuarit që t’ia bëjnë kompensimin palës së dëmtuar, edhe  Hysen Shahini t’ia kompensojnë dëmin 18 mijë euro”, tha avokati Musa.

Kurse mbrojtja e të akuzuarit Arben Bashota, avokatja Luljeta Jashari në fjalën përfundimtare tha se nga fillimi i  shqyrtimit gjyqësor në veprimet e të mbrojturit të tij nuk është gjetur asnjë fakt relevant për të vërtetuar veprën penale që i vihet në barrë.

“Nuk është  vërtetuar me asnjë provë se kombinati “Bujqësia” ka qenë pronare e kësaj prone. Rasti i gjuajtjes me armë është duke u gjykuar në një rast tjetër dhe në aktakuzë nuk përmendet emri i të mbrojturit tim. Nuk mund të pretendohet se i mbrojturi im ka organizuar dhe mbikëqyrur grup kriminal, për faktin se i akuzuari Bashota ka qenë vetëm i autorizuar nga gjashtë pronarët”, tha  avokatja.

Tutje ajo shtoi se aktakuza është e mbështetur në prova të papranueshme e të pambështetshme, dhe se nuk është arritur të vërtetohet se i mbrojturi i saj të ketë tentuar të shkaktojë pasoja.

Po ashtu, Gjykatës i propozoi që të njëjtin ta lirojë nga akuza, të anulohet urdhri ndalues si dhe t’i detyrojë të dëmtuarit që ta lirojnë pronën.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Osman Bajrami, avokati Sokol Dobruna, tha se në asnjë pikë veprimet e të mbrojturit të tij nuk përputhen me veprën penale pasi sipas tij i akuzuari Osmani nuk ka pasur qëllim  përfitimin e të mirave materiale por është interesuar për interesat e veta për uzurpatorët – tani të dëmtuarit, të cilët është dashur ta lirojnë pronën e uzurpuar.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sylejman Osmani, avokati Haxhi Millaku, në fjalën e tij përfundimtare tha se  klienti i tij fare nuk ka të bëjë më këtë çështje.

“Prona e cila është bërthama e kësaj çështjeje që Prokurorisë vetëm iu ka dashur që t’i inkriminojë të akuzuarit sepse interesi i të dëmtuarve është prona dhe vetëm prona edhe pse e dinë se juridikisht nuk kanë asnjë bazë të qëndrojnë aty. Çdo efekt juridik pas kontratës 10 vjeçare edhe pse ajo kontratë është efektive dhe çdo ditë pas 2012 e tutje që kinse të dëmtuarit qëndrojnë në atë pronë janë uzurpatorë, në asnjë situatë gjykatës nuk ia kanë ofruar dëftesat për pagesën sipas kësaj kontrate si shfrytëzues”, tha Millaku.

“Arben Bashota është një mikrob që ata që e kanë fuqinë e paranë dhe  pushtetin e hanë për së gjalli. Këtë e ka vërtetuar dëshmitari Dragan, i biri i Markos, se kur Arbeni shkoi t’i afrohet babait të tij i thotë: Në ty s’paskan çka hanë qentë e ti do me ble prona prej nesh”. Kjo fjali e ka fuqinë e vet”, shtoi avokati Haxhi Millaku.

Tutje ai tha se e vërteta është se Sylejmani vetëm iu ka dashur për të krijuar numrin 3 PSRK-së, e jo që ka ndonjë veprim konkret inkriminues apo çfarëdo baze juridike që dyshimi i bazuar të argumentohet e lërë më siç e parasheh ligji. Ku sipas avokatit vetëm aktgjykim lirues do te ishte i drejtë dhe meritor, sepse ai tha se Sylejmani nuk ka të bëjë asgjë me këto vepra.

Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 6 maj.

https://kallxo.com/heshtje-rreth-prones-per-te-cilen-prokuroia-thote-se-u-kidnapuan-femije-e-u-plagosen-13-persona/

Aktakuza e Prokurorisë

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin, i njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014), kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarit Murat Ternava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, Murat Ternava pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Sipas Prokurorisë, vlera e përgjithshme e objekteve të ndërtuara në pronën kontestuese nga të dëmtuarit është më shumë se 5 milionë euro.

E kujt është prona 10 hektarëshe ?

Pronësia mbi pronën 10 hektarëshe është elementi kyç që Prokuroria ka ngritur aktakuzën ndaj Arben Bashotës dhe vëllezërve Bajrami. Viti 2004 shënon fillimin e presioneve të të akuzuarve ndaj të dëmtuarve.

Sipas Prokurorisë, Arben Bashota kishte siguruar aktgjykimin e falsifikuar të Gjykatës Komunale të Prishtinës të datës 21 shkurt 1997, sipas të cilit prona e kontestuar i ishte kthyer në pronësi private personit të quajtur Marko Mitroviq.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Arben Bashota po ashtu me një autorizim të falsifikuar pretendon se është i autorizuari i Mitroviqit që të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike në lidhje me pronën. Prokuroria pretendon se pikërisht duke u thirrur në këto autorizime Bashota kërkon nga Drejtoria e Kadastrës që të bëjë regjistrimin e këtyre ndryshimeve të pronësisë.

Sipas Prokurorisë, Drejtoria e Kadastrës në mars të vitit 2004 vihet në lajthitje dhe në bazë të kërkesës së Bashotës merr aktvendim me të cilin e vërteton atë çështje dhe disa ditë më pas lëshon edhe fletën poseduese për këtë pronë. Për të vërtetuar pretendimin e saj Prokuroria përmend se ndaj Mitroviqit është zhvilluar procedurë penale për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë në vitin 2006.

Pikërisht, Mitroviq sipas aktakuzës së prokurores Bina-Rugova, me anë të 6 kontratave të shitblerjes i ka shitur pronën kontestuese Xhavit Bashotës, Shemsije Bashotës, Smajl Mehmetit, Xhyle Marajt, Violeta Ahmetit dhe Myzafer Maliqit.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit me këto dokumente kanë insistuar te të dëmtuarit që t’u lirohen pronat, duke u paraqitur vazhdimisht në atë tokë dhe duke pohuar se është e tyre.

Viti 2007 sipas Prokurorisë shënon edhe fillimin e kërcënimeve serioze nga të pandehurit drejt të dëmtuarve ashtu që ndodhin disa incidente, siç ishte rasti i marsit 2008 kur Osman e Sylejman Bajrami dhe Ruzhdi Shaqiri paraqiten me ekskavator dhe fillojnë të groposin në pronë.

Të njëjtën ditë sipas Prokurorisë në një lokal në Prishtinë, Ruzhdi Shaqiri, Sylejman Bajrami dhe Osman Bajrami kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarve Ismet Osmani dhe Hysen Shahini dhe nga ky rast kishin mbetur të plagosur 13 persona.

Sipas Prokurorisë, Mitroviq në vitin 2012 lirohet përfundimisht nga akuza dhe kjo shënon edhe një ngjarje tjetër të rëndësishme për këtë lëndë.

Prokuroria pretendon se Arben Bashota duke përdorur kërcënimin serioz kundër zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrës arrin që më 10 maj 2012 të hiqet masa e sigurisë, ndalesa e tjetërsimit dhe aprovohen kërkesat për bartje të kësaj prone dhe të regjistrohen në emrat e gjashtë personave të cilët kinse i kanë blerë këto prona tashmë të parcelizuara nga Marko Mitroviq në mars të vitit 2004.

Aktakuza pretendon se vetëm disa ditë pasi që ka ndodhur kjo, në objektet e të dëmtuarit Murat Ternava kanë shkuar të pandehurit Arben Bashota, Sylejman Bajrami dhe Osman Bajrami dhe i ndjeri Ruzhdi Shaqiri dhe këta dy të fundit me revole në dorë kanë kërkuar nga të pranishmit që t’i lironin objektet.

Për më tepër sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin lënë edhe një “njoftim” që kërkonte që uzurpatorët të lironin objektet.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, presioni ishte intensifikuar dhe të pandehurit të dëmtuarve u kishin lënë edhe një ultimatum ku thuhej se “ose t’i lirojnë objektet ose do të vijë deri tek më e keqja”.

Prokuroria pretendon se si pasojë e presionit në Durrës kishte ndodhur një takim mes të dëmtuarit Murat Ternava dhe Ruzhdi Shaqirit, i cili fliste në emër të Arben Bashotës dhe Osman Bajramit dhe nga ky takim është vendosur që Murat Ternavës t’i lejohej të shfrytëzohej vetëm njëri prej objekteve për biznesin e tij familjar dhe se për këtë ai do të paguante çdo muaj shumën prej 6,350 euro.

Prokuroria më tej në aktakuzë përshkruan se si pasi kishte bërë një denoncim në polici, i dëmtuari Murat Ternava ishte detyruar nga persona të paidentifikuar e të armatosur ta tërhiqte këtë denoncim. Kjo ka ndodhur në kohën kur djali i tij po mbahej peng.