Një prej lokaleve të mbyllura sot në Ferizaj - Foto: Komuna e Ferizajt

Në Ferizaj mbyllen lokale ku dyshohej se kryheshin ‘dukuri devijante’

Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka mbyllur katër lokale në afërsi të shkollës fillore “Tefik Çanga” në qytet, të cilat nuk kishin përmbushur kushtet higjieno-sanitare.

“Ne sot kemi mbyllur 4 nga 6 lokalet që kemi inspektuar, për faktin se nuk kanë plotësuar kushtet higjieno-sanitare dhe kanë mungesa të dokumentacionit”, tha koordinatori i Inspektoratit komunal, Ridvan Berisha.

Sipas njoftimit të Komunës së Ferizajt, qytetarët kishin raportuar se në këto lokale dyshohej për zhvillimin e dukurive devijante.

“Gjatë inspektimit të këtyre lokaleve nga inspektorët sanitar dhe të tregut ka rezultuar se ato nuk përmbushin kushtet minimale teknike higjieno-sanitare dhe sipas raportimeve nga banorët e zonës, ka dyshime edhe për zhvillimin e dukurive devijante”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Komuna ka bërë thirrje për bashkëpunim nga institucionet e drejtësisë dhe qytetarët që të luftojnë dukuritë devijante.

“Komuna e Ferizajt, fton organet e sigurisë dhe të drejtësisë që të bashkëpunojnë ngushtë në luftimin e dukurive devijante dhe rasteve të shkeljes së ligjit. Gjithashtu, një mbështetje të fuqishme institucioni i Komunës në këto aksione, pret edhe nga denoncimet e qytetarëve për të lehtësuar dhe evituar në kohë reale këto shqetësime dhe raste të shkeljes së ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit të Komunës.