Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Në Dy Muaj, Dogana Konfiskon Mall në Vlerë 10.000 Euro

Dogana e Kosovës ka konfiskuar mall në vlerë prej 10.000 euro gjatë muajit janar dhe shkurt në kuadër të kontrollit të shtuar të mallrave.

Dogana ka njoftuar se gjatë muajit janar dhe shkurt ka ndërmarrë aksione në kontrollin e mallrave të cilat potencialisht kanë tendencë për kontrabandë, sidomos mallrat strategjike, duhan dhe produkte të tij.

“Gjatë këtyre dy muajve krahas aktiviteteve tjera janë kontrolluar 60 lokacione, duke përfshirë tregjet e qyteteve, pika tjera shitëse siç janë ato ambulantive dhe tjera. Si rezultat i kësaj në 20 raste të ndryshme kemi hasur produkte të kontrabanduara (cigare dhe duhan pa banderola) dhe kemi iniciuar kundërvajtje për produkte si cigare filtër, duhan të grirë, aroma për duhan nargjile si dhe filtër për cigare”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Për këto raste Dogana ka njoftuar se janë konfiskuar 186 kilogramë duhan refuz, 163,733 copë cigare, rreth 50 litra nargjile. Vlera e të gjithë mallit të konfiskuar është rreth 10.000 euro.

Dogana ka njoftuar se do të vazhdojë me kontrolle në mënyrë që të mos rrezikohet asnjë prej taksave të qytetarëve të Kosovës.