Rahoveci - Foto: KALLXO.com

Në ditën e Çlirimit të Rahovecit ditë pushimi për punonjësit e komunës

 

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka vendosur që 14 qershorin, ditën e Çlirimit të qytetit të Rahovecit, ta bëjë ditë pushimi për punonjësit e komunës.

“Për zbatimin e vendimit të nënshkruar nga kryetari, do të kujdeset Drejtoria për Administratë, Drejtoria për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, Drejtoria për Arsim dhe Zyra e Personelit në komunën e Rahovecit”, thuhet në njoftimin e komunës.

Ndërsa për nder të 20 vjetorit të Çlirimit, komuna ka organizuar disa aktivitete që fillojnë në ora 9:00 me homazhe tek varrezat e Dëshmorëve, kurse në ora 12:00 mbahet seanca solemne e Kuvendit Komunal.

Më pas mbahet orë letrare “Muza e lirisë” dhe orë historike “Rrugëtimi ynë drejt lirisë”, nga ora 13:00 deri në ora 14:00.

Në muzeun e qytetit në ora 14:30 fillon ekspozita e artistëve të Rahovecit me tematikë figurat dhe vlerat e luftës së UÇK-së.

Në palestrën sportive “Mizahir Isma” nga ora 16:00 fillon koncerti festiv për fëmijë dhe për t’i përmbyllur aktivitetet në ora 18:00 zhvillohet finalja e garës “Turneu i Lirisë”.