Nga takimi i korrikut 2017 Thaçi- Vuçiq. Foto: BE

Në Dialog pa Ekip Uniteti

Faza e ardhshme e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të jetë proces mjaft i rëndësishëm për vendin dhe për përfaqësimin e Kosovës, platformën dhe qasjen në këtë proces, do të jetë i nevojshëm konsensusi i të gjithë faktorëve politikë, vlerësojnë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe të partive opozitare në Kosovë. Por, ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me fazën përgatitore, që ndërlidhet me fazën e ardhshme të dialogut.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se lidhur me krijimin e ekipit përgatitor për fazën e ardhshme të dialogut, ekzekutivi është në kontakt të përhershëm me institucionet tjera të vendit.

Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se formimi i një ekipi të tillë pritet së shpejti. Sipas tij, fazës së re të dialogut, Kosova do t’i qaset me një konsensus kombëtar.

“Sa i përket çështjeve vitale të interesit nacional, Kosova asnjëherë nuk ka pasur problem për përfaqësim dhe sigurisht që në afat optimal do të ndërtohet një ekip i përbashkët i të gjitha institucioneve. Do të ndërtohet një konsensus kombëtar, përkatësisht një platformë unike e të gjitha institucioneve, me të cilën do të rifillojë dialogu. Në këtë sens, dua të them që institucionet e Kosovës, praktikisht, në mënyrë të heshtur, por të sigurt, kanë konsensus të plotë”, tha Matoshi.

Pavarësisht se Presidenti i Kosovës tash e disa muaj ka paralajmëruar nevojën për e krijimin të një ekipi gjithëpërfshirës të spektrit politik për fazën e ardhshme të dialogut, i cili është quajtur edhe si “Ekip i Unitetit”, ende nuk ka indikacione se një ekip i tillë është në fillet e formimit.

Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ministër në Qeverinë e kaluar që udhëhiqej nga Isa Mustafa, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se në rast se do të ketë ndonjë nismë për krijimin e një Ekipi të Unitetit për dialogun me Serbinë, LDK-ja do ta shqyrtonte një nismë të tillë dhe më pas do të merrte vendimin për pjesëmarrje në të ose jo.

“Pra, ne nuk kemi pa as nuk kemi pasur, asnjë përpjekje serioze, as të Presidentit, por as të Qeverisë, që vërtetë të merren me këto çështje të rëndësisë së madhe, përpos fakti që Presidenti dëshiron që ai të luaj rolin kryesor në këtë çështje, duke anashkaluar plotësisht Kuvendin dhe Qeverinë”.

Gecaj ka shtuar se për një Ekip të Unitetit për fazën përfundimtare të dialogut, duhet të ketë diskutime paraprake, sepse ai nuk mund të imponohet. Sipas tij, një Ekip i Unitetit ishte krijuar para më shumë se një dekade, për bisedimet për statusin final të Kosovës, për shkak se vendi ende nuk ishte i njohur ndërkombëtarisht si shtet.

“Sot, ne jemi shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk kemi nevojë që të kemi ‘Grup Uniteti’. Uniteti krijohet në Kuvend, ndërsa Qeveria duhet ta udhëheqë dialogun. Jo Presidenti, i cili nuk i përgjigjet Kuvendit dhe i cili nuk ka të bëjë fare me zbatimin e çfarëdo marrëveshjeje, e cila do të arrihej në Bruksel. Pra, nëse do të ketë dialog, posaçërisht nëse do të hyjmë në fazën përfundimtare të dialogut, atëherë kjo duhet të koordinohet me të gjitha partitë politike. Deri më tash, unë nuk e di që ka pasur ndonjë koordinim të tillë dhe kjo nuk mund të imponohet as nga Presidenti i Republikës, por unë besoj që as nga Brukseli, gjithashtu”.

Në anën tjetër, Matoshi thekson se qasja e Qeverisë ndaj fazës së ardhshme të dialogut është mjaft serioze. Sipas tij, marrë parasysh që faza e fundit e dialogut duhet të përmbyllet me njohjen reciproke të vendeve, si dhe duhet përcaktohen në mënyrë të qartë afatet e marrëveshjeve, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

“Kosova është në një rrugëtim trepalësh: integrime në BE, integrime në NATO dhe në marrëdhënie dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fundja, pa përfshirjen e amerikanëve në dialog, dyshojmë që do të mund të ketë rezultate të ndjeshme në këtë drejtim”, thekson Matoshi.

Në takimin, më 17 nëntor në Bruksel, me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, kryeministrit i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte theksuar se dialogu i Kosovës me Serbinë duhet të riformatohet, të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve.