Në biznesin e nipit të prokurorit zbulohen vajza pa dokumente

Nëntë vajza pa leje qëndrimi në Kosovë janë gjetur në një aksion të Policisë në një lokal në Deçan në orët e para të ditës së sotme.

Policia e Kosovës kishte ndërmarrë sot një aksion në lokalet ku dyshohej se po zhvilloheshin lojëra të fatit, të cilat që nga muaji maj janë ndaluar me Ligj.

Por, gjatë bastisjes në lokalin “Ferrari” në Deçan, Policia ka gjetur 9 vajza pa leje qëndrimi në Kosovë.

Lokali është mbyllur sepse nuk kishte leje pune.

KALLXO.com ka mësuar se lokali është në pronësi të Lulzim Sinanajt, i cili është djali i vëllait të prokurorit Haxhi Sinanaj.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja Valbona Haxhosaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe prokurorin Sinanaj.

Ai e pranoi se lokali është i nipit të tij, por mohoi se ka qenë në dijeni se lokali po vepronte jashtëligjshëm.

“Lulzim Sinanaj është djali i vëllait tim. E për këtë aksionin e Policisë unë nuk jam në dijeni sepse jam në pushim. Unë e di që ai ka vepru ligjshëm, një kohë e  ka mbyll, e masnej ka punu me letra, e për ma gjatë unë nuk e di”, ka thënë Sinanaj në përgjigjen e tij.

Në anën tjetër, lokali ‘Ferrari’ në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, figuron si biznes i shuar, e që për aktivitet primar e ka shërbimin e pijeve.

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar për aksionin e Policisë të zhvilluar në komunën e Deçanit, ku u bastisen disa lokale, e u konfiskuan disa aparate të lojërave të fatit si dhe u ndaluan 9 femra.

https://kallxo.com/aksion-i-policise-kunder-lojerave-te-fatit-ne-decan-foto/

www.kallxo.com