Kunduz, Afganistan - Foto: REL/AFP

Në Afganistan vriten 13 civilë, shumica fëmijë

Trembëdhjetë civilë u vranë, shumica nga ta fëmijë, “në një sulm ajror të forcave ndërkombëtare”, pranë qytetit Kunduz të Afganistanit, njoftoi Misioni i Ndihmës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan.

“Misioni shpreh shqetësim serioz që faktet fillestare tregojnë se dhjetë nga të vrarët janë fëmijë, anëtarë të një familjeje të gjerë, të zhvendosur nga luftimet gjetkë”, tha përmes një deklarate Misioni i OKB-së.

Sipas tij, incidenti ndodhi në lagjen Telavka, natën midis 22 dhe 23 marsit, gjatë “operacioneve kundër militantëve talibanë, të kryera nga forcat pro-qeveritare”.

Një zëdhënëse e misionit ndihmës të NATO-s në Afganistan tha se forcat amerikane kanë kryer një sulm në këtë zonë, por, sipas saj, misioni nuk e ka konfirmuar se ka shkaktuar viktima civile.

Rreshterja Debra Richardson tha se misioni synon të parandalojë viktimat civile, por vuri në dukje se militantët talibanë fshihen qëllimisht midis civilëve.

Në një raport të lëshuar në muajin shkurt, Misioni Ndihmës i OKB-së ka bërë të ditur se lufta në Afganistan, në vitin 2018, ka lënë të vrarë 3,804 civilë – më shumë se në çdo periudhë tjetër të luftimeve, prejse kanë nisur regjistrimet.

Militantët talibanë po mbajnë negociata me zyrtarët amerikanë për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund luftës gati 18-vjeçare në këtë vend.

Rrethi i fundit i bisedimeve u mbajt këtë muaj. Të dyja palët thanë se është bërë përparim, por ende pa marrëveshje. (REL)