Presidenti Thaçi në shënimin e 10-vjetorit të AKI-së - Foto: AKI

Në 10 vjet të AKI-së, drejtorët e Inteligjencës nuk e përfunduan mandatin

Dje, më 4 shkurt, Agjencia Kosovare për Inteligjencë ka mbushur një dekadë që prej themelimit si institucion për siguri dhe inteligjencë në Kosovë.

Siç ka njoftuar në faqen e vet të internetit, AKI ka shënuar këtë datë  të enjten më 31 janar, ku pjesëmarrës ishin edhe krerët kryesorë të vendit, si presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj.

Në njoftimin e AKI-së thuhet se përveç përfaqësuesve institucionalë në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shërbimeve partnere dhe të ftuar specialë nga Uashington D.C.

“Me ketë rast, Presidenti dhe Kryeministri i vendit kanë shprehur vlerësimin më të lartë për punën e madhe dhe sukseset e arritura nga AKI në të mirë të sigurisë kombëtare. Presidenti dhe Kryeministri premtuan përkrahjen edhe në të ardhmen në përmbushjen e detyrave dhe misionit që ka AKI-ja”, thuhet në njoftimin e AKI-së për opinionin publik.

Institucioni më i lartë në vend për siguri ka siguruar qytetarët e vendit se është i gatshëm që të ballafaqohet me sfidat që e presin në të ardhmen në aspektin e sigurisë.

“Sot, Agjencia e Kosovës për Inteligjence në partneritet edhe me agjencitë homologe qëndrojnë të gatshme dhe të afta në ballafaqimin me këto kërcënime dhe përmbushjen e detyrave që kanë”, përfundon njoftimi i AKI-së.

Historiku i drejtorëve të AKI-së

Ndonëse puna e saj nuk është se ekspozohet për publikun dhe bëhet në mënyrë të fshehtë, gjatë këtyre 10 viteve të punës AKI ka qenë shpesh shënjestër e mediave.

Kështu, jo rrallë herë Agjencia është përfshirë edhe në skandale të brendshme.

Asnjëri nga drejtorët e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë deri më tani nuk e ka përfunduar mandatin në formën e rregullt. Ata ose janë dorëhequr ose janë shkarkuar.

Drejtori i parë i kësaj Agjencie ka qenë Bashkim Smakaj, sot këshilltar i presidentit Thaçi.

Smakaj ishte emëruar si drejtor i AKI në vitin 2009, për të përfunduar një mandat në krye të institucionit më të lartë për siguri në vend. Por, atë kohë presidentja Atifiete Jahjaga dhe kryeministri Thaçi i patën vazhduar mandatin edhe për pesë vite. Megjithatë, pas një kohe të shkurtër, vetë Smaka kishte ofruar dorëheqje.

Fatin e njëjtë me drejtorin e parë të AKI e pati edhe pasuesi i tij, Agron Selimaj, që deri në atë kohë kishte pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm brenda  këtij institucioni. Për më pak se dy vite sa kishte shërbyer në krye të Agjencisë për Inteligjencë, Selimaj kishte njoftuar se dorëhiqet për arsye familjare.

Driton Gashi pasoi Agron Selimajn në pozitën e drejtorit të AKI-së. Mirëpo, sikurse dy ish- drejtorët e kaluar, edhe ky nuk arriti ta përfundojë mandatin e rregullt pesëvjeçar. Shkarkimi i tij erdhi pas një skandali. Spiunët e AKI-së kishin bashkorganizuar deportimin e disa shtetasve turq. Për këtë, kryeministri i tanishëm kishte vendosur që ta shkarkojë atë.

Drejtori aktual i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë është ish- drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Skandalet e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë

AKI, si institucioni më i lartë për siguri në vend, shpesh u bë temë në medie për skandalet, të cilat në shumicën e rasteve edhe u përcollën me dorëheqje e shkarkime.

Në mars të vitit të kaluar, AKI u përfshi në deportimin e gjatë shtetasve turq. Aksioni rezultoi me së paku dy dorëheqje, të drejtorit të kësaj Agjencie, Driton Gashi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Kjo ngjarje u pat përcjellë me shumë reagime, vendore e ndërkombëtare.

Ndërsa, gjatë shtatorit të vitit të kaluar, brenda hapësirave të AKI-së ndodhi një vrasje. Një punonjës i sigurimit qëlloi për vdekje një punonjës të kuzhinës brenda objektit. Ndonse bëhej fjalë për një vrasje, deri më tani nuk ka pasur asnjë marrje të përgjegjësisë. Ndërkohë, hetimet nga Prokuroria e shtetit po vazhdojnë për rastin e vrasjes.

Në fund të vitit të kaluar Prokuroria pati punë edhe me djalin e shefit aktual të AKI-së, Shpend Maxhuni, Shpëtim Maxhuni. Me 12 tetor ai u ndalua nga Policia e Kosovës për posedim të armës dhe narkotikëve.

AKI pa zëvendësdrejtor, shkel ligjin kryeministri dhe presidenti

Sipas Ligjit të AKI-së zëvendësdrejtori i këtij institucioni duhet të emërohet në një kohë prej 20 ditësh pune pas mbetjes së lirë të pozitës.

Aktualisht, pozita e zëvendësdrejtorit të AKI-së është e lirë për më shumë se pesë muaj. Më 3 gusht të vitit të kaluar, presidenti Thaçi e kishte shkarkuar atë. Siç thotë edhe Ligji për këtë institucion, emërimin e kësaj pozite e bën kryeministri së bashku me presidentin.

KALLXO.com ka pyetur Zyrën e Kryeministrit nëse ka propozuar dikënd për pozitën e zëvendësdrejtorit të AKI-së.

Donjeta Gashi, zyrtare për media në Kryeministri ka thënë shkurt se nuk asnjë të re për këtë çështje. “S’ka njëherë kurrgjë. Në Presidencë nominohen. Pyet atje!” ka thënë ajo.

Ndërsa, KALLXO.com ka dërguar pyetje dhe ka provuar të kontaktojë edhe me Presidencën, por nuk kemi marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij raporti.