Ndryshimi statutar që mundësoi mandatin e tretë për udhëheqësin e Federatës së Notit

Federata e Notit të Kosovës po qëndron në mes të kontestimeve për zgjedhjen për herë të tretë në krye të saj të Imer Ramës.

Përveç kësaj, brenda kësaj federate dhe Ministrisë së Sportit ka konfuzitet se me cilin statut në fakt funksionon kjo Federatë.

Në një mbledhje të Kuvendit të kësaj Federate, monitoruesja e Ministrisë së Sportit, Kadrie Tosuni kishte raportuar se është bërë shkelje në zgjedhjen e Ramës për mandatin e tretë pasi kjo nuk lejohet me statutin e federatës të vitit 2010.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, kështu thotë edhe Agron Zeqiri nga klubi i notit ‘Step’ i cili ankohet për keqpërdorime të shumta në këtë federatë.

“Në Kuvendin zgjedhor të vitit 2016 të vetë Drejtorisë së Sportit, prej menaxheres së sportit Kadrie Tosuni , në raport zyrtar i përshkruan parregullsitë që kanë ndodhur. Në disa takime na caktuar se Kuvendi është mbajtur në bazë të statutit të Federatës së Notit të Kosovës në 2010”, tha Zeqiri.

Në anën tjetër, sekretari i Federatës, Astrit Halili thotë se zgjedhja e Ramës është e lejuar me statutin e ri të kësaj federate të miratuar në vitin 2015.

“Statuti i FNK-së ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2015 dhe është I miratuar nga zyra ligjore e  Federatës Botërore të Notit”, tha Halili.

Sipas tij, me këtë ndryshim statutar është kërkuar edhe ndryshimi i emrit të federatës nga’ Federata e Notit të Kosovës’ në ‘Federata e Sporteve Ujore’.

Ibër Alaj, drejtor i Sportit në MKRS po ashtu tha se bazohen në statutin të federatës të ndryshuar në vitin 2015.

Në hulumtimin e ‘Jeta në Kosovë’, flitet për parregullsitë në udhëheqësinë e Federatës së Notit të Kosovës dhe akuza të tjera për diskriminime ndaj notarëve të rinj kosovarë.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: