Ndryshimet në polici Fehmi Hoti komandant i Regjionit të Prishtinës

Policia e Kosovës po përballet me një ristrukturim të brendshëm dhe ndërrim të pozitave brenda strukturave të saj.

Vendin e ish-drejtorit Rajonal të Prishtinës, Rexhep Sijarina tani më e ka marrë Kolonel Fehmi Hoti.

Hoti të premten e kaluar është graduar nga grada Nënkolonel në gradën Kolonel nga ana e Policisë së Kosovës.

Para pozitës së re, atë të drejtorit rajonal, Fehmi Hoti ka qenë Drejtor i Divizionit për Hetimin e Krimit.

Ndërrimin e pozitës së tij e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe vetë drejtori i ri Fehmi Hoti.

“Po tani zyrtarisht jam edhe drejtor Rajonal i Prishtinës”, tha Hoti për KALLXO.com.

KALLXO.com vazhdimisht po raporton në lidhje me ristrukturimin e pozitave në Policinë e Kosovës.

Ish-drejtorit të Rajonit të Prishtinës, Rexhep Sijarina i është ndërruar pozita dhe tani është në pikë kufitare.

Agron Nezaj, i cili mbante postin e drejtorit të Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, është larguar nga kjo pozitë dhe është transferuar në Njësinë Speciale.

Drejtori i Divizionit të Njësisë Speciale, Emin Beqiri është emëruar Drejtor i Rajonit policor të Ferizajt.

Nexhmi Krasniqit, i cili ka mbajtur postin e Drejtorit Rajonal të Policisë në Prizren, është dërguar në Departamentin për Kufij.

Në krye të Stacionit Policor në Drenas është vendosur kapitenia Feime Bajrami.